Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2026, 12:57

Interesat favorizojnë kursimet në lekë - BSH: Depozitat në monedhën vendase rriten me 13.5%. Ato me afat kalojnë gjysmën e totalit

Nga Ledina Elezi

Interesat favorizojnë kursimet në lekë - BSH: Depozitat në

Kursimet e shqiptarëve në banka po rriten, ndërsa normat e interesit po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në mënyrën se si qytetarët zgjedhin të mbajnë paratë e tyre. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat e sektorit privat kanë vijuar trajektoren rritëse edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme është diferenca mes interesave që bankat ofrojnë për depozitat në lekë dhe ato në euro.

Për depozitat e reja me afat, interesi mesatar në lekë është rreth 1.7%, duke mbetur në të njëjtin nivel me tremujorin paraardhës. Ndërsa për depozitat në euro, interesi mesatar është rreth 1.4%. Pra, qytetarët që zgjedhin të kursejnë në lekë përfitojnë aktualisht një interes pak më të lartë krahasuar me ata që vendosin paratë në depozita në euro.

Kjo diferencë mes interesave ka ardhur në rritje gjatë periudhës së fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, marzhi mes normave të interesit për depozitat në lekë dhe euro është zgjeruar në rreth 0.4 pikë përqindjeje.

Me fjalë të thjeshta, bankat po japin një stimul disi më të madh për kursimet në monedhën vendase. Dhe kjo duket se po reflektohet edhe në sjelljen e depozituesve.

Depozitat në lekë janë rritur me rreth 13.5% në një vit, ndërsa depozitat në valutë kanë shënuar një rritje më të ngadaltë, rreth 10.5%. Kjo tregon se kursimet në monedhën vendase po fitojnë peshë.

Por jo vetëm interesi po ndikon. Rritja e depozitave lidhet edhe me shtimin e të ardhurave dhe aktivitetit ekonomik, ndërsa hyrja e valutës në vend, veçanërisht nga turizmi, ka ndikuar në rritjen e kursimeve në valutë.

Edhe individët po kursejnë më shumë. Depozitat e tyre janë rritur me rreth 10% krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, po ndryshon edhe mënyra se si qytetarët i mbajnë këto para.

Një pjesë gjithnjë e më e madhe e kursimeve po kalon në depozita me afat, ku paratë lihen në bankë për një periudhë të caktuar në këmbim të një interesi. Sot, këto depozita përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të depozitave.

Kjo është e rëndësishme, sepse tregon se qytetarët nuk po i mbajnë paratë vetëm për shpenzime të menjëhershme. Një pjesë e tyre po preferon t’i vendosë kursimet në banka për një periudhë më të gjatë, duke përfituar edhe nga interesi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat