Shqipëria Postuar më 14 Mars 2026, 11:02

Integrimi në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore - BSH nis përgatitjet. Përfituese nga programi 3 mln eurosh i BE për forcimin e kapaciteteve

Nga Ledina Elezi

Integrimi në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore - BSH nis

Banka e Shqipërisë po përgatitet për t’u bërë pjesë e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Për këtë, ajo do të jetë pjesëmarrëse në fazën e tretë të “Programit për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor”, të financuar nga Bashkimi Evropian, një nismë që synon të mbështesë përgatitjen e bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit për integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.

Qëllimi i këtij programi është forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë, kryesisht përmes përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve analitike dhe politike, falë përvetësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.

Përveç Bankës tonë Qendrore, përfituese të këtij programi janë gjithashtu bankat qendrore dhe autoritete mbikëqyrëse nga Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. BE e ka financuar këtë program me 3 milionë euro nga Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA III).

Gjatë 3 viteve të ardhshme, banka qendrore e Gjermanisë, së bashku me bankat qendrore partnere dhe me ekspertët e BQE-së, do të organizojë një program intensiv trajnimi rajonal, mbi çështjet kryesore të bankingut qendror dhe mbikëqyrjes. Fokusi kryesor do të jetë mbi zhvillimet e reja në bankën qendrore dhe mbikëqyrjen financiare në fushë e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës ndaj financimit të terrorizmit, atë të rreziqeve kibernetike, të transformimit digjital, të inovacionit dhe inteligjencës artificiale në bankat qendrore. Gjithashtu, takime të nivelit të lartë do të zhvillohen lidhur me temat aktuale në fokus, si pavarësia e bankës qendrore dhe zhvillimet e reja në sistemet e pagesave.

Me pjesëmarrjen në këtë program, Banka e Shqipërisë vazhdon përpjekjet për përafrimin me standardet dhe praktikat evropiane, duke kontribuuar njëkohësisht në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale, në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Sistemi Evropian i Bankave Qendrore përfshin Bankën Qendrore Evropiane dhe bankat qendrore kombëtare të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, pavarësisht nëse ato e kanë adoptuar euron, apo jo.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat