Shqipëria Postuar më 29 Maj 2025, 14:00

“Integrimi në BE, së shpejti hapim kapitullin 27” - Mjedisi, Jaupaj: Më i vështiri për shkak të vlerës financiare që duhet të investohet

Nga Ola Mitre

“Integrimi në BE, së shpejti hapim kapitullin 27” -

Pas hapjes së disa kapitujve me Bashkimin Evropian, i radhës parashikohet të jetë Kapitulli 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.

Gjithçka u bë me dije nga zv.ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj gjatë konferencës me temë “Menaxhimi i integruar i ujërave për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”, e zhvilluar nga Akademia e Shkencave.

Sipas Jaupajt, ky kapitull konsiderohet më i vështiri për shkak të vlerës financiare që duhet të investohet për të arritur standardet.

“Është kapitulli më i vështirë që Republika e Shqipërisë negocion me Bashkimin Evropian për shkak të kostos financiare për të arritur standardet mjedisore të Bashkimit Evropian. Vetëm kapitulli i ujit i kushton Shqipërisë gjatë 10 viteve të ardhshme rreth 7 mld euro”, - tha Jaupaj.

E pranishme në konferencë ishte edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cila u ndal te rëndësia e menaxhimit të ujit për ekonominë bujqësore, teksa ndau të dhënat e një studimi mbi nevojën për investime në infrastrukturat bujqësore.

“Nga një studim i yni, i bërë në ministri përpara një viti vlerësohet se për të menaxhuar të gjithë infrastrukturën, e cila është e trashëguar, por pjesa më e madhe e kësaj infrastrukture është ndërtuar në vitet ’60 -70 do të kërkojë një burim financiar prej të paktën 600-700 mln euro. Pra, po flasim për buxhete të qenësishme”, - tha Denaj. 

Në fjalën e tij, nënkryetari i Akademisë së Shkencave Vasil Tole e vuri theksin te menaxhimi i qëndrueshëm i ujit, për shkak të rëndësisë që ka në shumë sektorë. Po ashtu, ai theksoi se nevojitet një analizë e thelluar, që do të ndihmojë edhe në ndërtimin e politikave që orientohen nga interesi publik.

 

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat