Shqipëria Postuar më 11 Shkurt 2026, 12:57

Inspektorati i Përgjithshëm “ikën” nga Kryeministria - SiGMA kërkoi decentralizim, projektligji: Kalon në varësi të Ministrisë së Ekonomisë

Nga Ola Mitre

Inspektorati i Përgjithshëm “ikën” nga Kryeministria

Inspektorati i Përgjithshëm nuk do të jetë më në varësi të Kryeministrisë, por të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, sipas një projektligji të nxjerrë për konsultim publik.

Relacioni shoqërues shpjegon se ky ndryshim vjen pas gjetjeve të Raportit të SiGMA-s të vitit 2025, i cili analizoi funksionimin e qendrës së qeverisjes në Shqipëri dhe dha rekomandime për forcimin e saj në përputhje me parimet e administratës publike dhe Qeverisjes së Përbashkët. Raporti vuri në dukje nevojën për koordinim më të mirë ndërinstitucional, hartim politikash të bazuara në prova dhe konsultim më të gjerë me palët e interesuara, si pjesë e reformave që shoqërojnë procesin e integrimit europian.

SiGMA evidentoi se Shqipëria ka një strukturë tejet të centralizuar, me 26 institucione që raportojnë drejtpërdrejt në Kryeministri. Në këtë kontekst, është rekomanduar reduktimi i numrit të këtyre institucioneve dhe kalimi i disa prej tyre në varësi të ministrive përkatëse. Për Inspektoratin e Përgjithshëm, raporti sugjeron që ai të jetë në varësi të ministrisë përgjegjëse për ekonominë.

Sipas relacionit të projektligjit, vendosja e Inspektoratit të Përgjithshëm nën këtë ministri synon një menaxhim të integruar të politikave ekonomike, mbikëqyrje më efektive dhe forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional. Ministria e Ekonomisë konsiderohet autoriteti më i përshtatshëm për këtë rol, duke qenë se veprimtaria inspektuese e institucionit lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e tregut dhe aktivitetin e subjekteve ekonomike.

Propozimi i këtyre ndryshimeve vjen pak ditë pasi në krye të këtij dikasteri, që koordinon inspektoratet qendrore dhe rajonale dhe standardizon proceduart e inspektimit, u emërua kryeinspektori i ri Dashnor Sula.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat