Shqipëria Postuar më 21 Prill 2026, 12:01

Inspektorati i Përgjithshëm forcon kontrollet - Nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Shtetit

Nga Fabjona Pasho

Inspektorati i Përgjithshëm forcon kontrollet - Nënshkruan

Inspektorati i Përgjithshëm pritet të forcojë kontrollet në terren për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, punës së paligjshme dhe shkeljeve në tregun e punës, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, barnave dhe pajisjeve mjekësore.

Për këtë qëllim, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Përfaqësuesit e të dy institucioneve vlerësuan se kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim të përbashkët për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për rritjen e besimit të publikut, nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur Inspektoratin, në nivel qendror dhe lokal, si dhe çdo institucion tjetër, me qëllim zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë së jetës për qytetarët. 

Ndërkaq, z. Sula vuri theksin te rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të garantimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, forcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjes së interesit publik, si dhe parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në fushat me interes të përbashkët.

Fokusi i kësaj marrëveshjeje do të jetë veçanërisht mbështetja e inspektimeve të strukturave të Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektorateve qendrore dhe vendore, si dhe strukturave të tjera inspektuese, në sektorë me risk të lartë, si: ndërtimet pa leje, krimet mjedisore, siguria ushqimore, barnat dhe pajisjet mjekësore, puna e paligjshme dhe shkeljet në tregun e punës, duke garantuar ndërhyrje të koordinuar dhe efektive gjatë ushtrimit të detyrës, në rastet e rezistencës fizike, pengimit në kryerjen e detyrave apo për mbrojtjen e personelit, nga subjektet e proceduar të inspektimit apo individë të ndryshëm.

Gjithashtu, marrëveshja synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe unifikimit të praktikave të punës, si dhe informimin e publikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe respektimin e konfidencialitetit.

Shqipëria 21 Prill Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka regjistruar lëvizje të konsiderueshme të vlerës në raport me një ditë më parë teksa është blerë sot me 80.5 lekë dhe është shitur me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat