Shqipëria Postuar më 30 Mars 2026, 13:05

Ilir Binaj: Dixhitalizimi kursen miliona orë pune, fokus i ri te ndërtimi dhe turizmi

Nga Edel Strazimiri

Ilir Binaj: Dixhitalizimi kursen miliona orë pune, fokus i ri te

Dixhitalizimi i shërbimeve mbetet një nga shtyllat kryesore të administratës tatimore për përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve. Kështu u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i DPT-së, Ilir Binaj, duke theksuar se gjatë vitit 2025 janë implementuar një sërë shërbimesh që kanë sjellë lehtësira konkrete.

Sipas tij, paraplotësimi i deklaratës së TVSH-së ka rritur deklarimet në afat dhe ka kursyer rreth 54 mijë orë pune, ndërsa deklarata e të ardhurave personale (DIVA 2025) ka kursyer rreth 36 mijë orë të tjera. Ndërkohë, dixhitalizimi i vërtetimit të pagës vjetore ka sjellë një kursim prej 1.5 milion orësh për tatimpaguesit.

Binaj bëri të ditur se gjatë vitit 2026 janë planifikuar rreth 11 shërbime të reja dixhitale, përfshirë automatizimin e rimbursimeve për fermerët dhe individët, si dhe aplikimin për certifikatë rezidence.

Ai theksoi se, krahas dixhitalizimit, administrata tatimore po vijon aksionin kundër informalitetit, me fokus në sektorët e ndërtimit, turizmit, shërbimeve mjekësore dhe tregtisë bujqësore. Në sektorin e ndërtimit, pas fazës së informimit, është shënuar një rritje me rreth 20% e të ardhurave personale dhe 14% e kontributeve.

Në sektorin e turizmit, sipas Binajt, analiza e të dhënave nga platformat Booking dhe Airbnb ka evidentuar mijëra tatimpagues dhe dhjetëra milionë euro rezervime, ndërsa në vijim priten kontrolle për deklarimin e saktë të të ardhurave.

Po ashtu, ai paralajmëroi masa për sektorin mjekësor dhe atë të kujdesit personal, ku do të publikohen paga indikative dhe do të ndërmerren kontrolle për subjektet që nuk i zbatojnë ato.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat