Shqipëria Postuar më 9 Prill 2026, 14:29

Ibrahimaj: Sektori i ndërtimit, motor i rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve

Nga SCAN TV

Ibrahimaj: Sektori i ndërtimit, motor i rritjes ekonomike dhe

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit,  Delina Ibrahimaj, në një takim të zhvilluar së bashku me Kryeministrin Edi Rama,  dhe përfaqësues të biznesit në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, theksoi rëndësinë e këtij sektori për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se rritja ekonomike është një mjet për të arritur përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Ajo nënvizoi se sektori i ndërtimit, së bashku me atë të pasurive të paluajtshme, ka njohur një rritje të qëndrueshme gjatë 10 viteve të fundit, duke kontribuar me rreth 17% në ekonominë shqiptare.

Sektori i ndërtimit u cilësua si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, jo vetëm si industri më vete, por edhe si një tregues i rëndësishëm i nivelit të investimeve në vend, duke qenë i lidhur ngushtë me sektorë të tjerë si turizmi, prodhimi dhe shërbimet.

Ministrja Ibrahimaj theksoi,  se mbështetja për këtë sektor mbetet thelbësore për të garantuar vijimësinë e rritjes ekonomike të qëndrueshme. Ajo solli në vëmendje se projektet në zhvillim pritet të gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme, duke përfshirë rreth 14 milionë euro taksa lokale që në fazat fillestare, si dhe të ardhura të tjera nga aktiviteti ekonomik që do të krijohet rreth tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm i diskutimit ishte ndikimi i drejtpërdrejtë i këtij sektori në punësim dhe paga. Aktualisht, projektet në zhvillim angazhojnë qindra punonjës dhe dhjetëra nënkontraktorë, ndërsa pritet që numri i të punësuarve të rritet ndjeshëm në fazat e mëtejshme të zbatimit. Pagat në këtë sektor janë dukshëm mbi mesataren kombëtare, duke reflektuar potencialin për rritje të mëtejshme të mirëqënies. Megjithatë, Ibrahimaj nënvizoi nevojën për rritjen e formalizimit të pagave dhe standardeve në sektor, në përputhje me zhvillimin e tij të shpejtë.

Gjatë këtij takimi u theksua gjithashtu se projektet moderne me standarde të larta urbane përfaqësojnë modele suksesi që kontribuojnë në afrimin e vendit me standardet e Bashkimit Europian dhe duhet të shërbejnë si shembull për sektorët e tjerë të ekonomisë.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit theksoi se zhvillimi i sektorit të ndërtimit është i lidhur ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë dhe me rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duke e konsideruar atë një prioritet në politikat ekonomike të vendit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat