Shqipëria Postuar më 12 Dhjetor 2025, 15:34

Ibrahimaj: 12 milionë euro për punësimin e të rinjve në 2026, dyfishim i fondeve për aftësim dhe sipërmarrje

Nga SCAN TV

Ibrahimaj: 12 milionë euro për punësimin e të rinjve në

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në konferencën “RINIA 2030-Punësim, Aftësi, Sipërmarrje”, një takim i dedikuar të rinjve që janë punësuar dhe aftësuar përmes programeve qeveritare, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e saj ministrja tha se ndërsa diskutimet për buxhetin 2026 janë fokusuar kryesisht te pensionet dhe pagat, pak është folur për hapat që po ndërmerren për të rinjtë, të cilët përbëjnë bazën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Znj. Ibrahimaj informoi se në buxhetin e vitit 2026 fondet për programet e nxitjes së punësimit dyfishohen, duke arritur në 12 milionë euro të dedikuara vetëm për të rinjtë.

Sipas saj, investimi te kapitali njerëzor është vendimtar për të ardhmen e ekonomisë, pasi rritja ekonomike nuk mund të vazhdojë pa fuqizimin e brezit të ri.

Ministrja solli shembuj konkretë të rezultateve, duke përmendur Programin e Kodimit, përmes të cilit janë formuar 2 mijë profesionistë të rinj, shumica prej të cilëve pa prejardhje në fushën e teknologjisë, por me vullnet dhe vizion.

Ata janë punësuar falë financimit të plotë të trajnimeve, kur janë të papunë ose bashkëfinancimit kur janë të punësuar e duan të rrisin aftësitë.

Po kështu, mijëra të rinj të tjerë janë përfshirë në programe formimi profesional në fusha si mekanika, turizmi, energjia, portet e aeroportet, për t’iu përgjigjur nevojave reale të tregut të punës.

Ibrahimaj foli edhe për rolin e sipërmarrjes, që e cilësoi “zemra e ekonomisë shqiptare”, ku 97% e bizneseve janë të vogla dhe të lindura nga një ide.

“Vetëm një ditë më parë janë shpallur fituesit e fondit të vetëpunësimit, përmes të cilit 240 të rinj do të mbështeten me nga 1 milion lekë secili për të nisur biznesin e tyre. Përmes fondit të startapeve, në dy vitet e fundit janë mbështetur 200 biznese inovative, disa prej të cilave po punësojnë të rinj të mbështetur në afësim nga Programi për Garancinë Rinore”, u shpreh Ministrja.

Ministrja Ibrahimaj tha se papunësia rinore ka rënë në nivelin më të ulët historik, duke arritur 15%, nga mbi 30% që ishte kur kjo mazhoranca nisi qeverisjen e vendit.

Znj. Ibrahimaj shprehu bindjen se deri në vitin 2030, ky nivel do të bjerë nën 10%, falë edhe fondeve shtesë prej 60 milionë eurosh që vijnë nga buxheti i shtetit dhe BE, të dedikuara për punësimin dhe aftësimin e të rinjve.

Ministrja Ibrahimaj po ashtu deklaroi se duke nisur nga 1 janari, AKPA do të shndërrohet në portalin unik, ku do të publikohen të gjitha vendet e lira të punës në administratën publike, me qëllim që çdo qytetar të ketë akses të plotë dhe të thjeshtë në ofertën e punësimit në vend, nëpërmjet portalit puna.gov.al.

Ministrja u bëri thirrje të rinjve të pranishëm që të bëhen ambasadorë të programeve ku janë përfshirë, pasi përhapja e informacionit dhe rritja e pjesëmarrjes është çelësi për të arritur objektivat e përbashkëta të zhvillimit deri në vitin 2030.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat