Shqipëria Postuar më 12 Mars 2025, 11:25

Abuzimi me fondet e BE, shtohen kontrollet - Nga ARACHNE, te hetimet dhe ndjekja penale. Cilat janë masat e strategjisë së re?

Nga Ledina Elezi

Abuzimi me fondet e BE, shtohen kontrollet - Nga ARACHNE, te hetimet dhe ndjekja

Institucionet që menaxhojnë fondet e BE-së në Shqipëri do t'i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta për shmangien e abuzimeve të mundshme. Është hedhur për konsultim publik “Strategjia Kombëtare kundër Mashtrimit për Mbrojtjen e Interesave Financiare të Bashkimit Evropian”, ndër synimet e të cilës janë zbulimi i mashtrimeve të zyrtarëve publikë me fondet e Bashkimit Evropian, si dhe përmirësimi i kontrolleve të brendshme, në funksion të parandalimit të këtyre parregullsive. Nëpërmjet kësaj strategjie sigurohet administrimi dhe përdorimi i fondeve të BE-së në mënyrë të efektshme gjatë periudhës së saj të para – anëtarësimit.

Fondet e Bashkimit Evropian në Shqipëri mund të ekspozohen ndaj risqeve që përfshijnë pagesa për kontraktorin që ka shkelur kontratën, përzgjedhje e parregullt e aplikimit të projektit, dhënie e kontratës aplikantit, i cili nuk do të përzgjidhej, nëse do të zbatoheshin procedurat konkurruese, pagesë për një përfitues për shpenzime të papërshtatshme, përzgjedhje e një aplikimi të rremë të projektit dhe të tjera.

Me qëllim shmangien e keqpërdorimit të ndihmave financiare të BE-së në të ardhmen, masat e reja që do të ndërmerren kanë të bëjnë me krijimin e një kuadri ligjor të përshtatshëm për sigurimin e një mjedisi të mbrojtur nga mashtrimi, promovimin e parandalimit të mashtrimit midis nëpunësve dhe zyrtarëve publikë, përmes rritjes së ndërgjegjësimit të institucioneve publike dhe publikut për parandalimin e parregullsive dhe rasteve të dyshimta të mashtrimit, por gjithashtu edhe nëpërmjet përditësimit të planeve të integritetit të institucioneve përkatëse.

Një objektiv tjetër lidhet me maksimizimin e efektshmërisë së kontrolleve për parandalimin, zbulimin dhe korrigjimin e mashtrimit. Në kuadër të këtij objektivi do të vendoset në funksion ARACHNE, një instrument i avancuar i teknologjisë së informacionit, i krijuar për të ndihmuar autoritetet menaxhuese të identifikojnë projekte me rrezik të lartë, duke analizuar grupe të mëdha të dhënash që lidhen me projektet e financuara nga BE-ja.  

Institucionet përkatëse do të angazhohen më shumë për hetime dhe ndjekje penale, me qëllim mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Nga kjo parashikohet edhe shtimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por edhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional të Drejtorisë së Inspektimit Financiar Publik (AFCOS) me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF), në lidhje me shkëmbimin e informacionit dhe hetimeve.

Hartimi i kësaj strategjie është detyrim që rrjedh nga procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat