Shqipëria Postuar më 17 Mars 2025, 13:33

I hapet rruga ngritjes së Bankës së Zhvillimit - Miratohet projektligji në Kuvend. Ibrahimaj: Ndihmon në përthithjen e fondeve të BE

Nga Ledina Elezi

I hapet rruga ngritjes së Bankës së Zhvillimit - Miratohet

Është miratuar në Kuvend projektligji që do t'i hapë rrugën ngritjes së Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Gjatë seancës plenare, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh se financimet e Bankës Shqiptare e Zhvillimit do të shkojnë edhe në drejtim të infrastrukturës, eksporteve, apo projekteve strategjike për ekonominë.

“Qëllimi kryesor i kësaj banke është të nxisë zhvillimi ekonomik të vendit përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nënfinancuar duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës, eksportet dhe projektet strategjike për ekonominë. Struktura kapitale është projektuar për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Shteti do të zotërojë minimalisht 51% të aksioneve duke ruajtur kontrollin publik, ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare dhe vendase mund të kontribuojnë në kapital. Banka do të sigurojë financime përmes financimeve përmes bashkëpunimeve si Banka Evropiane e Zhvillimit apo vendeve anëtare”. 

Ibrahimaj theksoi ndër të tjera se Banka e Zhvillimit do të ndihmojë edhe në përthithjen e fondeve të Bashkimit Evropian.

“Krijimi i një institucioni të tillë mund të ndihmojë në përthithjen dhe shpërndarjen efektive të fondeve të BE, duke siguruar që investimet të drejtohen në projekte me rritje afatgjatë. Sot jemi përpara një momenti historik në anëtarësimin në BE dhe do të ketë fonde në dispozicion dhe duhet të ketë institucione që të kenë aftësinë që t’i përthithin këto fonde”.

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të krijohet për të mbështetur ndërmarrjet shqiptare që nuk kanë qasje të mjaftueshme në financim nga tregu tradicional dhe të cilat shpesh përballen me vështirësi në sigurimin e kredive ose investimeve për zgjerim dhe inovacion. Ajo do të ofrojë gjithashtu produkte kursimi për qytetarët.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat