Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2026, 10:11

Hoxha në Sofje: Shqipëria dhe Bullgaria thellojnë bashkëpunimin në energji, infrastrukturë dhe Korridorin VIII

Nga Edel Strazimiri

Hoxha në Sofje: Shqipëria dhe Bullgaria thellojnë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim bilateral me homologen bullgare, Velislava Petrova, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin bullgar në kuadër të aktiviteteve të Presidencës bullgare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën 2025–2026.

Takimi rikonfirmoi marrëdhëniet e forta mes Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë strategjikë. Në fokus të diskutimeve ishin energjia, infrastruktura, ndërlidhja rajonale dhe përparimi i projekteve me rëndësi të përbashkët.

Në një postim në rrjetin X pas takimit, Hoxha theksoi se palët ranë dakord për nevojën e thellimit të dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik.

Diskutimet tona nxorën në pah rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në sektorë kyç si energjia, infrastruktura dhe ndërlidhja strategjike.

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua Korridorit VIII, projektit që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes një rrjeti modern rrugor, hekurudhor dhe energjetik.

Nënvizuam rëndësinë e Korridorit VIII, si një lidhje me rëndësi jetike midis rajoneve të Adriatikut dhe Detit të Zi, me potencial të konsiderueshëm për të rritur tregtinë, lëvizshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë Evropën Juglindore.

Dy ministrat shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, duke riafirmuar mbështetjen për paqen, sigurinë dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Shqipëria vlerëson shumë mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për procesin tonë të anëtarësimit në BE dhe avokimin e saj të vazhdueshëm për një politikë të besueshme zgjerimi.

Palët theksuan edhe rolin e minoriteteve kombëtare si ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes dy vendeve. Vizita e Hoxhës në Sofje zhvillohet në kuadër të Takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në SEECP, ku pritet të diskutohen prioritetet rajonale për bashkëpunimin, ndërlidhjen dhe integrimin europian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat