Shqipëria Postuar më 22 Janar 2025, 13:33

Hotelet me 5 yje, përjashtohen edhe dy vite nga tatimi korporativ - Propozimi në Kuvend, Klosi: Kemi sjellë 22 brand-e në vend. Investime madhore

Nga Elisabeta Dosku

Hotelet me 5 yje, përjashtohen edhe dy vite nga tatimi korporativ -

Resortet me pesë yje, me status special, që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, do të përjashtohen edhe për dy vitet e ardhshme nga tatimi korporativ. Ndërkohë që afati i kësaj lehtësie fiskale përfundonte më 31 dhjetor 2024. Propozimi është bërë nga deputeti socialist Blendi Klosi dhe ka ngjallur diskutime në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.  Sipas tij falë kësaj politike, aktualisht në vend janë 22 hotele brand name. Klosi ka sqaruar që kjo lehtësi përfitohet vetëm nga investimet e reja në zona me përparësi të zhvillimi dhe jo në zona urbane.

“Sot falë kësaj politike kemi 11 brande që janë regjistruar vendin tonë dhe jemi rreth 10-11 të tjerë që janë futur në industrinë e turizmit shqiptar. Sot në Shqipëri kemi 22 brande në turizëm që kanë realizuar investimet e tyre në Shqipëri. Këto retorte me 4-5 yje kanë investuar 450 mln euro, ku 100 mln prej tyre janë aktive tashmë. Vijmë sërish me këtë projektligj sepse në 2019 nuk kishte asnjë kompani. Arsyeja e vërtetë pse ne vijmë këtu është sepse në 2019 kur filloi ky proces, bashkë me iniciativën turizmi kishte një zhvillim të konsiderueshëm. Por më pas për shkak të pandemisë dhe luftës këto investime u ndërprenë. Tani kemi interes shumë të shtuar për këto investime. Dhe të gjitha këto investime bëhen jashtë qendrave të banuara dhe janë investime me përparësi të zhvillimit ekonomik. Projektligji synon që të përjashtohen nga tatimi për të ardhurat korporative dhe hotelet luksoze brand name që kanë status special, kërkohet 2 vjet shtimi i afatit nga momenti që jemi deri në 2026.  Pse na duhen hotelet me  5 yje? Industria e turizmit duhet të ketë standardet e larta me të cilat duhet të zhvillohet industria, të hapen vende të reja pune”, u shpreh Blendi Klosi, Deputet i PS

Ministria e Financave ka shprehur dakordësinë për këtë propozim, pavarësisht efekteve në buxhetin e shtetit.

“Ministria e Financave ka dhënë mendim pozitiv për shtyrjen e tatimit mbi fitimin për hotelet me 5 yje brand name të shtyhet për dy vjet. Kane krijuar 888 vende pune.”

Por kjo iniciativë është kundërshtuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku, sipas së cilës kur kaloi buxheti 2025, nuk ishin parashikuar ndryshime fiskale.  

“Buxheti kaloi në dhjetor dhe thatë që nuk do ketë asnjë ndryshim taksash, kemi një strategji afatmesme te te ardhurash.  Pse po diferencohen strukturat akomoduese te vogla qe paguajnë tatim. Çfarë i pengon këto hotele qe janë brande kaq te mëdha qe te vijnë në Shqipëri, vetëm nga tatimi korporativ.”

Efektet e përjashtimit për këto struktura fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Edhe për këtë pikë është kërkuar shtyrje deri në 5 vjet nga marrja e statusit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat