Shqipëria Postuar më 7 Tetor 2025, 09:24

Historike, Shqipëria nis pagesat me SEPA - Maksimumi 3 euro komision për remitancat. Miliona euro kursime për shqiptarët

Nga Ledina Elezi

Historike, Shqipëria nis pagesat me SEPA - Maksimumi 3 euro komision

Nga 7 tetori, çdo emigrant shqiptar mund t'i dërgojë para familjes së tij në Shqipëri duke përdorur SEPA. Po ashtu, edhe shqiptarët brenda vendit mund të nisin transaksione në euro drejt vendeve të tjera nëpërmjet këtij sistemi.

Infrastruktura e pagesave në Shqipëri po përjeton një transformim të thellë, fillimisht me AIPS, tani me SEPA dhe së shpejti me sistemin e pagesave të shpejta (instant payment), klon i sistemi TIPS të Bankës së Italisë.

Zona e Vetme e Pagesave në Euro, SEPA, është një nismë e Bashkimit Evropian që do t’i mundësojë shqiptarëve të kryejnë pagesa elektronike në euro nga Shqipëria drejt një numri vendesh anëtare dhe jo-anëtare të BE-së apo nga këto të fundit drejt Shqipërisë, në një mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe efikase, njëlloj si pagesat kombëtare. 

SEPA përbëhet nga 41 vende evropiane, duke përfshirë disa shtete që nuk janë pjesë e Eurozonës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Bankës së Shqipërisë, me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve të Bankës, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë të vazhdueshme. 

Sa do të jenë komisionet për paratë që shqiptarët brenda vendit dërgojnë jashtë?

Për transaksionet deri në 20 mijë euro që nisen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, komisionet do të jenë maksimumi 2 euro, për transaksionet deri në 100 mijë euro do të jenë sa 0.01% e vlerës, ndërsa për transaksionet mbi 100 mijë euro, komisionet do të jenë maksimumi 25 euro. Këto transaksione mund të jenë tarifa që një student shqiptar i paguan universitetit evropian ku studion, transferta parash nga shqiptarët brenda vendit për familjarë të tyre jashtë Shqipërisë, pagesa të bizneseve shqiptare ndaj një furnitori të huaj e të tjera.

Po për paratë që sjellin emigrantët nga jashtë?

Për transaksionet e mbërritura nga vendet SEPA, komisionet nuk do të tejkalojnë vlerën e 3 eurove. Për shembull, nëse një i afërmi juaj dërgon para nga Italia në Shqipëri përmes SEPA, bankat shqiptare do të mbajnë maksimumi 3 euro komision nga kjo shumë. 

Duke marrë parasysh vlerën e lartë të remitancave nga emigrantët, ku vetëm në gjysmën e parë të këtij viti llogariten përafërsisht 531 milionë euro të sjella, pjesëmarrja në këtë skemë do t’i sigurojë miliona euro kursim familjeve shqiptare.

Si mund të kryhet një transfertë me SEPA?

Transfertat me SEPA  mund të kryhen si nëpërmjet sporteleve bankare, ashtu edhe nëpërmjet bankingut elektronik ose aplikacioneve të bankave. Mjafton të logohesh në aplikacionin e bankës, me kredencialet e tua dhe të hysh në llogarinë bankare. I vetmi element që do të shënosh është emri i përfituesit, IBAN-i i pëfituesit, si dhe shuma në euro të cilën ti do të transferosh. Për të kryer një pagesë SEPA, ju duhet një IBAN në euro.

Mjafton të klikojmë aprovim i dërgesës dhe dërgesa kalon në kohë reale. Për dërgesat e shpejta me SEPA, ajo ndodh në moment, për dërgesat normale mjafton një ditë pune deri në dy maksimumi.

Shqipëria firmosi aplikimin zyrtar për anëtarësim në SEPA në qershor të 2024. Ne ishim vendi i parë në rajon që dërguam një aplikim formal për t’u pranuar në zonën gjeografike SEPA. Pas vendimit për miratimin e shtrirjes së zonës gjeografike SEPA për të përfshirë Shqipërinë në nëntor 2024, çdo institucion që ofron shërbime pagesash (OSHP) në vend dhe që kërkon të kryejë transferta SEPA, aplikoi individualisht për të aderuar në skemat SEPA. Në 16 prill, bankat u pranuan në Zonën Unike të Pagesave në Euro.

Me anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), Shqipëria konsiderohet tashmë e integruar në Bashkimin Evropian në aspektin e pagesave. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat