Shqipëria Postuar më 31 Tetor 2025, 13:26

Hekurudha Shkodër-Gjakovë, me financim të kombinuar - Projekti 1.8 mld euro, HSH: Punimet nisin brenda 2-3 vitesh

Nga Ola Mitre

Hekurudha Shkodër-Gjakovë, me financim të kombinuar - Projekti

“Financimi për ndërtimin e hekurudhës Shkodër – Gjakovë pritet të sigurohet përmes një kombinimi instrumentesh, duke përfshirë financime nga donatorë të ndryshëm, si dhe kontribute kombëtare nga Shqipëria dhe Kosova”. Kjo sipas Hekurudha Shqiptare, që e cilëson këtë model financimi të kombinuar, të aplikuar tashmë me sukses në projekte te tjera hekurudhore. “Ky model ofron fleksibilitet për të mbuluar një projekt të përmasave të tilla”, - tha HSH për TV SCAN.

Sipas studimit të fizibilitetit kostot për këtë segment hekurudhor përllogariten në 1.8 mld euro. Rreth 1.7 mld euro janë kosto që nevojiten për ndërtimin, ndërsa pjesa tjetër përllogariten si kosto për leje, shpronësime, etj.

Linja hekurudhore nga Shkodra në Gjakovë do të ketë 7 stacione, në një gjatësi prej 105.8 km. Segmenti do të përmbajë 43 ura dhe 14 tunele, teksa gjatësia totale e tuneleve është 35.3 km.

Sipas Hekurudha Shqiptare në total, projekti pritet të ketë një kohëzgjatje prej rreth 12 vitesh nga fillimi i projektimit deri në operimin e plotë. “Duke marrë parasysh ritmet aktuale të përgatitjes së dokumentacionit teknik, ndërtimi real mund të nisë brenda 2–3 viteve të ardhshme, pas përfundimit të projektit paraprak dhe procesit të prokurimit ndërkombëtar”, - bën me dije ky dikaster.

Pritshmëritë janë që kjo linjë të ketë një ndikim të ndjeshëm si në transportin e mallrave, ashtu edhe në lëvizjen e pasagjerëve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat