Shqipëria Postuar më 23 Qershor 2025, 10:38

Hekurudha Durrës – Rrogozhinë, sigurohet financimi - BERZH miraton kredinë 30 mln euro, projekti ka kosto totale prej 120.5 mln euro  

Nga Ola Mitre

Hekurudha Durrës – Rrogozhinë, sigurohet financimi - BERZH

Linja hekurudhore Durrës – Rrogozhinë po hyn në një fazë të re zhvillimi. Projekti për rehabilitimin e saj ka siguruar tashmë edhe miratimin e kredisë 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke kompletuar paketën financiare prej 120.5 milionë euro së bashku me 90 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve.

Pas miratimit paraprak nga qeveria shqiptare, marrëveshja me BEI u nënshkrua në Tiranë në prill të këtij viti. Ndërkohë që, miratimi i kredisë 30 mln euro nga BERZH është finalizuar në datën 11 qershor.

Segmenti hekurudhor 34 kilometra, nga porti i Durrësit në Rrogozhinë, do të rehabilitohet, modernizohet dhe elektrifikohet për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Linja nuk i është nënshtruar ndonjë rikonstruksioni të plotë deri më sot dhe ndodhet në gjendje të amortizuar.

Projekti është pjesë e korridorit hekurudhor VIII, një aks strategjik që lidh portet italiane me Durrësin, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke shërbyer jo vetëm për lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave, por edhe si një rrugë kyçe për mobilitetin ushtarak në Europën Juglindore.

Vetë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e ka cilësuar këtë investim si një hap të rëndësishëm për lidhjen më të fortë të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe për rritjen e sigurisë rajonale.

Pas përfundimit të punimeve, trenat në këtë linjë do të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë. Nga aspekti mjedisor, zhvendosja e trafikut nga rrugët në hekurudha pritet të reduktojë ndjeshëm ndotjen dhe të sjellë përfitime në efikasitet, siguri dhe reduktim të emetimeve të karbonit.



Shqipëria 23 Qershor Edel Strazimiri

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?

Dollari amerikan është blerë këtë fillim jave me 84.5 lekë dhe është shitur me 85.5 lekë duke mos pësuar ndonjë ndryshim të konsiderueshëm nga java që lamë......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat