Shqipëria Postuar më 7 Prill 2025, 11:49

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, në rehabilitim - Kreditë 120.5 mln euro me BEI dhe BERZH drejt miratimit final

Nga Ola Mitre

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, në rehabilitim - Kreditë 120.5

Kreditë për rehabilimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë po shkojnë drejt miratimit duke i hapur rrugë tenderit të punimeve. Kosto totale e projektit përllogaritet në 120.5 mln euro dhe do të bashkëfinancohet përmes huave të Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. 

Financimi i BEI kap vlerën e 90 mln eurove dhe pak ditë më parë qeveria shqiptare miratoi në parim kontratën financiare. Ndërkohë që, firmosja zyrtare do të kryhet në datën 8 prill. Paralelisht, edhe BERZH ka njoftuar se kredia prej 30 mln euro ka kaluar rishikimin final dhe miratimi parashikohet të bëhet brenda datës 30 prill.

Sipas Bankës Evropiane të Investimeve, projekti synon të rehabilitojë, modernizojë, elektrifikojë dhe si rrjedhojë të sjellë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, 34 km linjë hekurudhore me një binar nga porti i Durrësit në Rrogozhinë. “Kjo pjesë e linjës u hap fillimisht në vitin 1950 dhe më pas i është nënshtruar vetëm mirëmbajtjes normale. Infrastruktura është në gjendje të keqe dhe jo në përputhje me standardet evropiane”, - bën me dije BEI.

“Projekti, së bashku me investime të tjera dhe reforma sektoriale, pritet të kontribuojë në zhvendosjen e lëvizjes nga rruga në hekurudhë dhe në këtë mënyrë të gjenerojë përfitime ekonomike në drejtim të operimit, sigurisë dhe mjedisit”,- shtohet më tej.

Ndërkaq, linja hekurudhore e projektit të rehabilitimit ndjek atë ekzistuese dhe pas përfundimit të punimeve parashikohet që trenat të kenë një shpejtësi 120 kilometra/orë. Ky segment është pjesë e linjës hekurudhore Durrës – Pogradec, vazhdim i korridorit VIII hekurudhor, një korridor multimodal 1500 km, që lidh portet italiane me portin e Durrësit, Maqedoninë e Veriut dhe portet e Bullgarisë së Varnës dhe Burgasit në Detin të Zi.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat