Shqipëria Postuar më 17 Shtator 2025, 12:23

Hekurudha, BE vlerëson progresin e Shqipërisë/ Integrim në rrjetin evropian të transportit. 21 piketa mbyllëse për grupkapitullin 4

Nga Ledina Elezi

Hekurudha, BE vlerëson progresin e Shqipërisë/ Integrim në

Plot 21 kushte (piketa) duhet të plotësojë Shqipëria për të mbyllur negociatat me Bashkimin Evropian për grupkapitullin mbi Agjendën e Gjelbër dhe Lidhjen e Qëndrueshme, pa përfshirë këtu kërkesat e tjera të përgjithshme lidhur me përafrimin e legjislacionit.

BE ka publikuar pozicionin e përbashkët negociator, një dokument që tregon sa i linjëzuar është legjislacioni shqiptar me atë të Bashkimit Evropian për sa i përket Grupkapitullit 4, si dhe çfarë piketash të tjera duhet të plotësojë vendi ynë që të mbyllë negociatat për këtë grupkapitull.

Lidhur me transportin hekurudhor, BE-ja vlerëson hapat e ndërmarrë nga ana e Shqipërisë për ndarjen e menaxhimit të infrastrukturës dhe operacioneve hekurudhore, pra ndarjen e saj në dy shoqëri, e cila është gurthemeli i zonës së vetme hekurudhore evropiane. BE-ja nxit përmirësime të vazhdueshme në sigurinë hekurudhore, kuadrin institucional dhe standardet e ndërveprimit, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me Agjencinë Evropiane të Hekurudhave.

BE-ja thekson gjithashtu nevojën që Shqipëria të përputhet dhe të zbatojë Rrjetin Evropian Hekurudhor për mallra konkurruese. Megjithatë, për të mbyllur negociatat, Shqipëria duhet të sigurojë një organ rregullator hekurudhor të aftë, të pavarur dhe efektiv, një autoritet kombëtar sigurie dhe një organ kombëtar hetimor plotësisht funksional.

Shqipëria negocion vetëm afatet kohore të realizimit të kushteve të vendosura nga BE. Vendi ynë i ka kërkuar Bashkimit Evropian më tepër kohë, deri në vitin 2036 ose për 6 vjet pas datës së anëtarësimit në BE, për të zbatuar Direktivën që lidhet me cilësinë e ajrit të ambientit, reduktimin e emetimeve kombëtare të disa ndotësve atmosferikë, rikuperimin e avujve të benzinës gjatë furnizimit me karburant të automjeteve dhe kontrollin e emetimeve të përbërjeve organike të paqëndrueshme që vijnë nga ruajtja e benzinës dhe shpërndarja e saj nga terminalet në shërbim.

Gjithashtu, për zbatimin e direktivës mbi mënyrën se si prodhohen, përdoren dhe riciklohen paketimet (qeset, kartonat etj), Shqipëria ka kërkuar kohë deri në vitin 2040 ose për një periudhë prej 10 vjetësh pas datës së anëtarësimit në BE. Këto janë vetëm disa nga fushat ku Shqipëria ka më tepër vështirësi në zbatimin e legjislacionit dhe duhet të përmirësohet më shumë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat