Shqipëria Postuar më 11 Shkurt 2025, 13:02

HEC-et e vegjël do e shesin energjinë në tregun e lirë - Nis procedura për ndryshime në kontratën që kanë me OSHEE-në 

Nga Ola Mitre

HEC-et e vegjël do e shesin energjinë në tregun e lirë - Nis

Prodhuesit me Përparësi të Energjisë do të mund ta shesin edhe në treg të lirë energjinë e gjeneruar. Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurën për rishikimin e draft-kontratës së re të propozuar nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group që aktualisht është i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik të blerjes së energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.

Në mbledhjen e fundit të bordit, ERE dakordësoi që ndryshimet e kërkuara janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërkohë që dokumenti po i nënshtrohet procedurës së konsultimit publik për komentet të mundshme nga palët e interesuara.

Sipas kontratës aktuale FTL e blen të gjithë energjinë që prodhohet nga HEC-et me fuqi të instaluar deri në 15 MW, me një çmim fiks që aktualisht është 10 lekë/kWh.

Ndërkaq, marrëveshja e propozuar prezanton edhe një tjetër risi, duke parashikuar daljen e plotë në tregun e lirë për një periudhë jo më pak se një vit, një përcaktim që synon të ndihmojë FTL-në në programimin më të saktë të energjisë së blerë nga prodhuesit me përparësi.

Po ashtu, kontrata e re parashikon edhe disa ndryshime të tjera, që sipas FTL-së janë të domosdoshme për shkak të ndryshimeve ligjore dhe rregullatore, zhvillimeve në tregun e energjisë, problemeve të hasura gjatë zbatimit të kontratës aktuale, si dhe nevojës për përshtatje me praktikat më të mira të industrisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat