Shqipëria Postuar më 3 Janar 2026, 10:11

“Harta shqiptare e inovacionit”/ Cilat janë hapat e vendit për t'u shndërruar në një qendër rajonale të teknologjisë?

Nga Ledina Elezi

“Harta shqiptare e inovacionit”/ Cilat janë hapat e vendit

Me synimin për t'u shndërruar në një qendër rajonale të teknologjisë, Shqipëria ka miratuar planin e veprimit për të përmirësuar pozicionin e saj në Tabelën Evropiane të Rezultateve të Inovacionit. Vendimi është formalizuar me urdhër të Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe përfaqëson një angazhim të qartë institucional për forcimin e sistemit kombëtar të inovacionit.

Sipas European Innovation Scoreboard 2025, Shqipëria renditet aktualisht në grupin e “Emerging Innovators”, duke shënuar një rritje të performancës së përgjithshme prej 4.4 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe 7.4% krahasuar me vitin 2018. Megjithatë, raporti evidenton një sërë dobësish strukturore, veçanërisht në shpenzimet për kërkim dhe zhvillim, bashkëpunimet inovative të NVM-ve, pjesëmarrjen e studentëve të huaj në doktoratura dhe eksportet e produkteve me teknologji të mesme dhe të lartë.

Plani i veprimit i miratuar synon adresimin e këtyre problematikave përmes një pakete masash të ndara në afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Në afatshkurtër, fokusi është në përmirësimin e raportimit statistikor për treguesit e inovacionit dhe harmonizimin e metodologjisë së përdorur nga INSTAT me standardet e Bashkimit Evropian. Në afatmesëm, synohet forcimi i ekosistemit të inovacionit përmes rritjes së bashkëpunimit publik–privat, ndërsa në afatgjatë parashikohet transformimi strukturor i ekonomisë përmes integrimit të inovacionit, digjitalizimit dhe teknologjive të gjelbra.

Masat konkrete përfshijnë rritjen e financimit publik për kërkimin shkencor dhe doktoraturat STEM, mbështetjen e ndërmarrjeve inovative, promovimin e pronësisë intelektuale dhe forcimin e ndërkombëtarizimit përmes programeve evropiane si Horizon Europe dhe Erasmus+. Objektivi strategjik është që Shqipëria të kalojë në grupin e “Moderate Innovators” deri në vitin 2027.

Autoritetet theksojnë se ky plan do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 10 Prill Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan pas luhatjesh të vazhdueshme që pësoi përgjatë kësaj jave e ka mbyllur këtë periudhë në vlera relativisht konstantë teksa është blerë sot me......