Shqipëria Postuar më 5 Shtator 2025, 13:47

Hapja e aksit Qukës-Qafë Plloçë/ Rama dhe Balluku priten nga banorët e zonës!

Nga Edel Strazimiri

Hapja e aksit Qukës-Qafë Plloçë/ Rama dhe Balluku priten

 

Një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për rajonin juglindor të Shqipërisë, aksi rrugor Qukës – Qafë Plloçë, është hapur sot zyrtarisht për qarkullimin e automjeteve. Në ceremoninë përurimit morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qytetarë të zonës.

Ky segment rrugor prej 43 kilometrash përfaqëson një investim strategjik që do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen drejt zonës juglindore të vendit, duke krijuar gjithashtu mundësi reale zhvillimi për zonën përreth, veçanërisht në sektorët e bujqësisë, turizmit dhe agroturizmit.

Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se ky projekt i nisur fillimisht në vitin 2010-2011 kishte nevojë për një rishikim tërësor teknik, për shkak të problematikave gjeologjike të zonës dhe mospërputhjes me nevojat e komuniteteve lokale.

“Ndodhemi në segmentin Qukës- Qafë Plloçë, tashmë totalisht i përfunduar, një segment i cili ka nisur me një projekt të vitit 2010-2011, një projekt që nëse flet me inxhinierët do të thonë projekt i ftohtë dhe indiferent ndaj gjeologjisë së zonës, ndaj të gjitha kushteve atmosferike që kjo zonë ka dhe për më tepër ndaj të gjitha ndërlidhjeve që duheshin bërë me fshatrat e komunitetit të Malësisë së Mokrës. Më pas ky projekt ka nisur ne 2015 dhe është dashur që ta rishikonim totalisht, pra është 100% ndryshuar, duke respektuar siç thamë konektivitetin midis pjesëve të banuara, por mbi të gjitha gjeologjisë që ka qenë shumë sfiduese gjatë gjithë periudhës së kantiereve. Janë 43 Kilometra të plota të cilat sigurisht shkurtojnë ndjeshëm. Është edhe lehtësim për Pogradecin se kishim në ngarkesë shumë të madhe kohët e fundit”, - u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.

Kryeministri Rama nënvizoi sfidat e shumta të ndërtimit dhe theksoi rëndësinë strategjike të përfundimit të këtij aksi. “S’e kam harruar diskutimin që kemi  bërë atëherë kur  e morëm në trashëgimi këtë projekt që kishte nisur pa projekt, që ishte tmerr dhe që Niko thoshte se kjo duhej bërë patjetër. Është projekti më i gjatë, më i stërmundimshëm, më i ngatërruar për shkak se u nis mbrapsht. Edhe tani është gjë e madhe që mbaroi, edhe që edhe njerëzit e zonës, për të cilët është fitore e madhe, çlirim i madh, po edhe gjithë kjo zonë e Shqipërisë e ka në dispozicion edhe do të marrë gjithë përfitimet që sjell. Po është një çlirim shumë i madh. Dukej sikur s’do mbaronte kurrë”, - u shpreh Kryeministri Rama.

Aksi Qukës – Qafë Plloçë është pjesë e Korridorit 8, një arterie e rëndësishme ndërkombëtare që lidh Shqipërinë me vendet fqinje. Segmenti përmban dy karrexhata nga 3.75 m secila, me një metër korsi ndihmëse në të dyja anët, korsi të tretë në zonat me disnivele të theksuara për parakalime të sigurta, dy tunele, me gjatësi totale rreth 1.1 km, katër ura, nga të cilat dy janë ura metalike të varura.

Sfida e ardhshme është mirëmbajtja efektive, për shkak të kushteve të vështira klimatike që karakterizojnë zonën malore, si ngricat dhe reshjet e dëborës.

Ky investim përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës kombëtare dhe përforcimit të lidhjes me Korridorin 8, duke i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm për rajonin dhe vendin.

Hapja e aksit Qukës-Qafë Plloçë/ Rama dhe Balluku priten Hapja e aksit Qukës-Qafë Plloçë/ Rama dhe Balluku priten Hapja e aksit Qukës-Qafë Plloçë/ Rama dhe Balluku priten

Shqipëria 5 Shtator Scan TV

Hapet për qarkullim rruga Qukës-Qafë Plloçë

5 shtatori shënon hapjen zyrtare për kalimin e automjeteve në rrugën Qukës – Qafë Plloçë. Aksi ka një gjatësi totale prej 43.8 km dhe është një rrugë e......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat