Shqipëria Postuar më 9 Prill 2026, 10:24

Hapen aplikimet për projekte inovative deri 4 mln lekë - Aktivizimi i të rinjve dhe punësimi, në qendër të thirrjes

Nga Ernilda Luzi

Hapen aplikimet për projekte inovative deri 4 mln lekë - Aktivizimi i

Agjencia Kombëtare e Rinisë ka hapur thirrjen për projekt-propozime, duke vënë në dispozicion fonde për organizatat rinore dhe organizatat që punojnë për të rinjtë, me synimin për të rritur ndikimin e tyre në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.

Kjo thirrje është një mundësi konkrete për të sjellë ide dhe projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e të rinjve, duke i përfshirë ata më shumë në shoqëri, duke i ndihmuar të gjejnë punë të denja dhe duke përmirësuar mirëqenien e tyre në çdo aspekt.

Sipas AKR- së, ky program është menduar si një hap i rëndësishëm për të krijuar ura mes të rinjve, institucioneve dhe komunitetit, duke i dhënë organizatave hapësirën dhe mbështetjen financiare për të sjellë ndryshime reale. Përmes kësaj nisme, të rinjtë jo vetëm që përfitojnë drejtpërdrejt nga projektet e zbatuara, por gjithashtu inkurajohen të bëhen pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse dhe zhvillimore.

Ndërkohë, skema parashikon mbështetje deri në 2 milionë lekë për organizatat rinore, ndërsa për organizatat për të rinjtë fondi mund të arrijë deri në 4 milionë lekë për projekt. Ky diferencim synon të nxisë projekte me ndikim më të gjerë në komunitet.

Nga ana tjetër, projektet që do të aplikojnë në këtë thirrje duhet të fokusohen në tre shtylla kryesore. E para lidhet me pjesëmarrjen dhe aktivizimin qytetar, duke synuar rritjen e angazhimit të të rinjve në jetën publike dhe forcimin e rolit të tyre në vendimmarrje. E dyta ka të bëjë me punësimin e denjë, përmes krijimit të mundësive konkrete për punë, ofrimit të trajnimeve profesionale dhe ndërtimit të urave lidhëse me tregun e punës. Ndërsa shtylla e tretë fokusohet në mirëqenien e të rinjve, duke përfshirë mbështetjen për një jetesë të shëndetshme, zhvillimin personal, aktivitetet sociale dhe kulturore.

Të interesuarit mund të dërgojnë pyetjet e tyre deri më 22 prill 2026, ndërsa të gjitha informacionet e detajuara mbi kriteret e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat përkatëse janë të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat