Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2025, 10:45

Hapen aplikimet për drejtor të INSTAT/ Kreut aktual, Elsa Dhuli, i përfundon mandati 5-vjeçar në nëntor 2025

Nga Ernilda Luzi

Hapen aplikimet për drejtor të INSTAT/ Kreut aktual, Elsa Dhuli, i

Këshilli i Ministrave ka shpallur thirrjen për të aplikuar për pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave. Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it kujdeset për të siguruar pavarësinë profesionale të institucioneve brenda sistemit kombëtar statistikor dhe drejton strategjinë e zhvillimit të tij. Ai drejton veprimtarinë koordinuese të aktiviteteve statistikore të prodhuesve brenda sistemit kombëtar statistikor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure të hapur dhe publike përzgjedhëse.

Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere: të jetë shtetas shqiptar, të ketë zotësi të plotë për të vepruar, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga institucionet e administratës publike, të ketë gradën shkencore “Doktor” në shkencat ekonomike ose ekzakte, të ketë përvojë pune për një periudhë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet, si dhe të zotërojë gjuhën angleze.

Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave, afati i dorëzimit të aplikimit është deri më 29 gusht 2025. Aplikantët që plotësojnë kriteret i nënshtrohen vlerësimit të jetëshkrimit dhe një interviste të strukturuar me gojë. Lista e kandidatëve, që do të kualifikohen për fazën e intervistës do të shpallet brenda datës 22 shtator 2025. Data dhe vendi i zhvillimit të intervistës: brenda 30 shtatorit në Kryeministri.

Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it emërohet për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Aktualisht, ky institucion drejtohet nga Elsa Dhuli, e cila u emërua në këtë post në nëntor 2020. Më parë ajo ishte drejtore e përgjithshme e komanduar për më shumë se një vit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat