Shqipëria Postuar më 18 Prill 2025, 14:56

Guvernatori Sejko takon Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Reinout Vos

Nga SCAN TV

Guvernatori Sejko takon Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Reinout Vos.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin me situatën aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe perspektivën e ekonomisë shqiptare, në kontekstin e procesit të integrimit evropian, por edhe të pasigurisë në rritje në ambientin e huaj. Ai nënvizoi progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se rritja ekonomike ka mundësuar një progres real në procesin e konvergjencës me Bashkimin Evropian dhe se treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit - inflacioni, borxhi publik dhe ai i huaj i vendit, si dhe shëndeti i sektorit bankar - kanë ardhur në përmirësim.

Guvernatori Sejko shtoi se stabiliteti i sistemit financiar dhe përmirësimi i treguesve të qëndrueshmërisë fiskale dhe të huaj të vendit, janë pasqyruar në një përmirësim të mëtejshëm të renditjes së rrezikut të borxhit sovran të Shqipërisë nga agjencia Standard & Poors në muajin mars 2025, duke e çuar atë në BB.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Banka e Shqipërisë ka qenë e fokusuar që bankat tregtare të dorëzonin aplikimet pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC) për anëtarësimin e tyre në SEPA, duke i orientuar intensivisht ato në procesin e aplikimit dhe duke vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Procesin e Aderimit. “Tashmë të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025.”, nënvizoi Guvernatori. Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Politikat e kujdesshme monetare, mbikëqyrëse dhe rregullatore, kanë krijuar një ambient monetar e financiar të qetë e të sigurt, çka është pasqyruar në rritje të vazhdueshme të kreditimit dhe të interesit të investitorëve të huaj për tregun shqiptar. Po ashtu, Guvernatori nënvizoi rolin e Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, si një aktor i rëndësishëm institucional në procesin e negociatave, por edhe si një partner i besueshëm i institucioneve evropiane.

Ambasadori Vos, vlerësoi progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se stabiliteti makroekonomik i vendit është një arritje e çmuar e vendit në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ai vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e detyrave ligjore të saj, dhe – në veçanti – në zhvillimin e sistemit të pagesave dhe edukimin financiar.

Ambasadori Vos shprehu mbështetjen e plotë të Holandës në drejtim të procesit të anëtarësimit.

Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko dhe Ambasadori Vos shprehën vullnetin për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë dhe bankës qendrore të Holandës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat