Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2025, 12:05

Gjiri i Vlorës me impiant trajtimi për ujërat e zeza - Në funksion brenda vitit, Verçani:  Është projektuar për 53 mijë banorë

Nga Ola Mitre

Gjiri i Vlorës me impiant trajtimi për ujërat e zeza - Në

Ujërat e zeza në zonën e Orikumit nuk do të derdhen më në det, pasi një nga projektet që synon mbrojtjen e gjirit të Vlorës po shkon drejt përfundimit.

“Impianti i Përpunimit të Ujërave të Ndotur në Orikum do të jetë impianti i 13-të në Shqipëri, i cili pritet të vihet në funksion brenda këtij viti”.

“Në fazën ku jemi është bërë afro 80-90% e punimeve. Ne shumë shpejt do të duhet të fillojmë edhe pjesën e testimit që nënkupton testime të zakonshme të pajisjeve elektromekanike. Një pjesë e tyre ka filluar ndërkohë”, - thotë Lorenc Verçani, menaxher i projektit. 

Investimi është pjesë e Programit të Furnizimit me Ujë për Zonat Rurale IV", që ndihmon procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE përmes përmirësimit të furnizimit me ujë dhe menaxhimit të ujërave të zeza në Rivierën Shqiptare. Ai ka një vlerë totale prej 46 mln euro, nga të cilat 40 mln euro janë kredi e dhënë nga KfW gjermane, ndërsa pjesa tjetër janë grante.

Investimi në Orikum arrin në 5.5 mln euro, teksa përveç impiantit, projekti përfshin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve me 24 km rrjet të ri, si dhe ndërtimin e 2 stacioneve të reja të pompimit dhe rehabilitimin e 4 stacioneve ekzistues.

“Në pikun e vet është projektuar për afro 50 – 53 mijë njerëz apo popullatë që do duhet të mbulojë. Është një projekt shumë i rëndësishëm faktikisht për zonën e Orikumit, e qytetit veçanërisht, por edhe zonën e Tragjasit, Radhimës dhe Dukatit patjetër”, - thotë Verçani.

Trajtimi i ujërave të ndotur do kryhet përmes 3 proceseve, ndërsa uji i trajtuar do të derdhet përmes një tubi detar 650 metra në Gjirin e Vlorës.

“Pjesa fillestare ku struktura bën trajtimin fiziko-mekanik të prurjes që vjen në impiant, pastaj kalohet në vaskat e ajrimit që ne i quajmë teknikisht, që përbën procesin biologjik të trajtimit të ujit dhe pastaj normalisht ka një sërë procesesh ciklike që sjellin dhe çojnë ujin në drejtim të strukturave dhe bëhet realizimi i trajtimit të ujit. Një pjesë e tij përdoret sërish në impiant për ujin sanitar, ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet linjës së dërgimit lëshohet si ujë i trajtuar”, - shpjegon menaxheri i projektit.

Aktualisht zona ka një rrjet ekzistues të ujërave të zeza të ndërtuar në vitet 1960, teksa vetëm 30% e banorëve janë të lidhur me rrjetin e kanalizimeve, ndërsa 70% përdornin gropa septike.

Përfundimi i projektit pritet të ketë ndikim në shëndetin publik, në mbrojtjen e mjedisit, pasi mbron ekosistemet e ndjeshme si Laguna Pasha Liman, Parku Kombëtar Karaburun-Sazan dhe Laguna e Nartës, si dhe për turizmin dhe ekonominë, pasi përmirëson imazhin e Orikumit si një destinacion i qëndrueshëm dhe i pastër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat