Shqipëria Postuar më 16 Mars 2026, 14:35

Gjenerata Z në Shqipëri dhe rajon nuk ka pavarësi ekonomike - Tregu i punës, sfida më e madhe për të ardhmen

Nga Fabjona Pasho

Gjenerata Z në Shqipëri dhe rajon nuk ka pavarësi ekonomike -

Punësimi, ekonomia dhe arsimi janë tre shqetësimet kryesore për brezin e ri në Shqipëri.

Sipas raportit “Gjenerata Z në Ballkanin Perëndimor”, të rinjtë shqiptarë e shohin tregun e punës si sfidën më të madhe për të ardhmen e tyre.

Rreth 43% e tyre thonë se shqetësimi kryesor është gjetja e një pune, ndërsa 41% rendisin situatën ekonomike dhe 36% arsimimin.

Raporti, i cili analizon mbi 6 mijë të rinj në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, tregon gjithashtu se pavarësia financiare mbetet një objektiv i vështirë për t’u arritur.

Shumica e të rinjve në rajon nuk jetojnë të pavarur. 65.5% e tyre jetojnë me prindërit ose familjarë të tjerë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël marrin shtëpi me qira ose kanë një apartament të tyre.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me realitetin ekonomik që përjetojnë. Pjesa më e madhe e të rinjve deklarojnë se kanë mjaftueshëm të ardhura për nevojat bazë, por jo për shpenzime të mëdha.

34.9%  e të rinjve kanë para për ushqim dhe veshje, por jo për blerje të shtrenjta, ndërsa vetëm rreth një e pesta e të rinjve thonë se mund të përballojnë çdo gjë që u nevojitet.

Megjithatë, pavarësisht këtyre vështirësive ekonomike, shumica e të rinjve mbeten optimistë për jetën dhe të ardhmen.

Një jetë e mirë, sipas tyre, nënkupton një punë të mirë, stabilitet financiar dhe marrëdhënie të forta familjare. Por për një pjesë të madhe, rruga drejt këtij stabiliteti mund të kalojë edhe përmes emigracionit. Raporti tregon se 38.9% e të rinjve në rajon kanë menduar të largohen jashtë vendit për punë, ndërsa 27% për studime.

Çështja e punësimit paraqitet si një paradoks i tregut në rajon. Ndërkohë që ka vende pune dhe në disa sektorë edhe mungesë fuqie punëtore, shumë të rinj mbeten të papunë ose nuk ndihen të përgatitur për tregun e punës për shkak të një sistemi arsimor që nuk i pajis me aftësitë e nevojshme. Për më tepër, të rinjtë perceptojnë se mundësitë e mira të punësimit shpesh ndikohen nga korrupsioni, lidhjet politike dhe mungesa e meritokracisë, ndërsa shumë nga punët që ofrohen nuk sigurojnë paga apo perspektivë reale për përmirësim ekonomik.

Megjithatë, shumica shprehen se do të preferonin të ndërtonin jetën në vendin e tyre, nëse kushtet ekonomike do të përmirësoheshin.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat