Shqipëria Postuar më 22 Janar 2026, 11:38

Gazet serrë, detyrime të reja dhe kosto për bizneset - Sistemi i ri i monitorimit të shkarkimeve, pritshmëri për më shumë transparencë mjedisore

Nga Ola Mitre

Gazet serrë, detyrime të reja dhe kosto për bizneset - Sistemi i
Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimet që do të mundësojnë zbatimin e ndryshimeve në ligjin “Për ndryshimet klimatike”, duke vendosur një regjim shumë më të rreptë monitorimi, raportimi dhe verifikimi për shkarkimet e gazeve serrë nga sektori industrial, aviacioni dhe tregtimi i lëndëve djegëse.

Ligji i miratuar vendos bazat për zbatimin e plotë të sistemit MRVA (Monitorim, Raportim, Verifikim dhe Akreditim), në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që draft-rregullorja parashikon procedura të detajuara për mënyrën se si kompanitë duhet të monitorojnë shkarkimet, si duhet t’i përgatisin raportet dhe si do të verifikohen këto të dhëna nga verifikues të akredituar.

Draft-rregullorja mbulon një gamë të gjerë aktivitetesh, nga djegia e lëndëve djegëse në instalime mbi 20 MË, tek prodhimi i çimentos, klinkerit, metaleve, qelqit, produkteve qeramike, kimikateve industriale, si dhe veprimtaritë e aviacionit civil. Edhe tregtarët me shumicë të karburanteve përfshihen në kategorinë e subjekteve të rregulluara.

Ndërkaq, relacioni shoqërues i dokumentit që vendos rregullat për verifikimin dhe akreditimin e raporteve të gazeve serrë sjell dy sfida kryesore për bizneset.

Së pari, kompanitë që duhet të raportojnë shkarkimet rrezikojnë të hasin vështirësi në gjetjen e verifikuesve të akredituar, pasi tregu është ende i kufizuar. Kjo mund të çojë në vonesa dhe penalitete. Së dyti, zbatimi i procedurave MRVA sjell kosto shtesë për pagesat e verifikuesve dhe për trajnimin e personelit teknik. Punësimi ose trajnimi i një punonjësi teknik për monitorim vlerësohet 1.3–1.5 mln lekë në vit, ndërsa verifikimi nga një subjekt i akredituar do të kushtojë nga 1-3 mln lekë në vit, në varësi të kompleksitetit.

Megjithatë, efektet e pritshme janë të konsiderueshme. Sistemi i ri pritet të përmirësojë cilësinë e ajrit, duke mundësuar llogaritje më të sakta të shkarkimeve dhe vendosjen e tavaneve reduktuese në të ardhmen. Raportimet e verifikuara rrisin besueshmërinë e të dhënave mjedisore dhe ndihmojnë në hartimin e politikave në të ardhmen.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat