Shqipëria Postuar më 8 Korrik 2025, 10:41

Garancia Sovrane për bujqësinë/ Malaj: Bashkëpunimi me sektorin bankar, i rëndësishëm për zbatimin e suksesshëm!

Nga Edel Strazimiri

Garancia Sovrane për bujqësinë/ Malaj: Bashkëpunimi me

Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë sot në tryezën e diskutimit me përfaqësues të sektorit bankar lidhur me garancinë sovrane për bujqësinë, organizuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi se garancia sovrane nuk është vetëm një instrument financiar, por një mundësi reale për të ndërtuar një model të ri zhvillimi për bujqësinë dhe ekonominë, ku bashkëpunimi me sektorin bankar është një nga faktorët kyç të suksesit.

Skema e garancisë sovrane, tha ai, do të mbështesë bujqësinë me një fond prej rreth 3 miliardë lekësh apo 30 milionë euro dhe do të vihet në dispozicion në bashkëpunim me sektorin bankar.

“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, u shpreh Malaj.

Elementët kryesorë të skemës janë: garanci deri në 70% të vlerës së kredisë për fermerët dhe SME-të bujqësore; normë interesi e kufizuar në 2% dhe përdorim vetëm për investime që rrisin kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë: agropërpunim, mekanikë bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera moderne, etj..

Zbatimi me efikasitet i garancisë sovrane, tha më tej Ministri, kërkon një pjesëmarrje aktive edhe nga vetë fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në të gjithë vendin.

Malaj tha se qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave mbeten të angazhuara për të krijuar mjedisin e duhur financiar, ligjor dhe rregullator me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik.

Fjala e Ministrit të Financave Petrit Malaj:

I nderuar Guvernator,

Të nderuar përfaqësues të sistemit bankar,

Është kënaqësi të takohemi sërish, këtë herë në një tryezë më të gjerë, për të diskutuar mbi një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë, siç është rritja e mbështetjes financiare të sektorit bujqësor, përmes një qasjeje dhe instrumenteve të reja bankare.

Si fillim, dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen, pasi është një tregues i qartë i frymës së bashkëpunimit dhe partneritetin tonë, i cili do të duhet të forcohet akoma më shumë, si një mundësi për bashkërendimin e politikave për zhvillimin e ekonomisë bujqësore, drejt vizionit “Shqipëria 2030”, që kjo qeveri ka.

Modeli që po synojmë të ndërtojmë ka në themel angzhimin e përbashkët të të gjithë aktorëve: qeveri, pushtet lokal, fermerët, madje edhe sektorin bankar sepse në këtë mënyrë ne do të mund të ndërtojmë një sipërmarrje rurale më të fuqishme.

Potenciali në këtë sektor ekziston, sikundër edhe vullneti. Çfarë ne do të duhet të nxisim është rritja e aksesit në financë.

Vitet e fundit, në momente të caktuara, për objektiva të caktuar, qeveria shqiptar përmes garancive sovrane ( 4 në total) ka mbështetur sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në vijim të kësaj përvoje pozitive, po hedhim hapin e radhës përmes miratimit të një skeme të re Garancie Sovrane, që për herë të parë do të mbështesë sektorin e bujqësisë, me një fond prej 3 miliardë lekësh apo 30 milionë euro, i cili do të vihet në dispozicion në bashkëpunim me sistemin bankar.

Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor – mungesën e kolateralit – dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët.

Elementët kryesorë të kësaj skeme janë:

•              Garanci deri në 70% të vlerës së kredisë për fermerët dhe SME-të bujqësore;

•              Normë interesi e kufizuar në 2%.

•              Përdorim vetëm për investime që rrisin kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë: agropërpunim, mekanikë bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera moderne, etj..

Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo garanci nuk është vetëm një instrument financiar – është një mundësi reale për të ndërtuar një model të ri të zhvillimit rural dhe ekonomik. Bashkëpunimin me sektorin bankar ne e shohim si një nga çelësat kryesorë të suksesit në këtë sektor.

Ne jemi të vetëdijshëm se niveli i kreditimit të bujqësisë nuk është në nivele optimale për shkak të një sërë faktorëve, por ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale  për të ndryshuar këtë situatë, përmes politikave të bashkërenduara, një edukimi më të lartë financiar apo edhe duke ofruar produkte të dedikuara bankare për këtë sektor.

Në fakt, me vënien në dispozicion të kësaj garancie sovrane, ku shteti merr përsipër një riks të konsiderueshëm, përmes mbulimit deri në 70% të vlerës së kredisë, pritshmëria jonë është që bankat të rrisin ndjeshëm nivelin e angazhimit dhe gatishmërinë për kreditimin e bujqësisë.

Ndaj kam bindjen se tashmë, me shtetin si garantues, nuk ka më vend për hezitim, pasi instrumentet janë në dispozicion.

Nga ana tjetër, zbatimi me efikasitet i Grancisë Sovrane kërkon pjesëmarrje aktive edhe nga vetë fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në të gjithë vendin.

Të gjithë do të duhet të përfitojnë nga kjo mbështetje e drejtëpërdrejtë, për të investuar, për të zgjeruar aktivitetin bujqësor duke përfituar nga avantazhi që ofrojnë kreditë e buta me kushte të favorshme. Është një mundësi që nuk duhet humbur, për të rritur prodhimin, për të modernizuar pajisjet, për të hyrë në agroturizëm, në përpunim, apo në sektorë të tjerë me potencial të madh.

Vetëm përmes një pjesëmarrjeje të gjerë dhe të organizuar të biznesit të vogël dhe të mesëm, të mbështetur nga një sistem bankar më aktiv dhe më proaktiv, do të mund të sigurojmë një shtrirje reale dhe efektive të kësaj nisme, duke garantuar që fondet të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë dhe ku ndikimi është më i madh.

Të nderuar përfaqësues të sektorit bankar,

Qeveria shqiptare, veçanërisht Ministria e Financave është e angazhuar të krijojë mjedisin e duhur financiar, ligjor dhe rregullator me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik.

Garancia Sovrane për Bujqësinë është vetëm një nga hapat – dhe suksesi i saj varet nga angazhimi i secilit prej nesh.

Unë shpreh bindjen e plotë se duke punuar së bashku do të mund të ndërtojmë një model të ri zhvillimi i cili do të na shërbejë për ta bërë bujqësinë tonë më konkurruese, në kuadër edhe të procesit të integrimit europian.

Ju faleminderit!

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat