Shqipëria Postuar më 6 Shkurt 2025, 12:55

Garanci sovrane dhe program kreditimi për NVM-të - Banka e Shqipërisë dhe qeveria bëhen bashkë për të mbështetur bujqësinë

Nga Ledina Elezi

Garanci sovrane dhe program kreditimi për NVM-të - Banka e

Me qëllim rritjen e kreditimit ndaj sektorit të bujqësisë, Banka e Shqipërisë dhe qeveria do të ofrojnë dy instrumente financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, një garanci sovrane dhe një program prej 25 miliardë lekësh.

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Banka e Shqipërisë me përfaqësues nga Qeveria, drejtues të sistemit bankar dhe përfaqësues të shoqërive të agrobiznesit, Guvernatori Gent Sejko listoi disa nga pengesat që has ky sektor në financim.

“Sektori bujqësor ka performancën më të dobët ndër sektorët madhorë të ekonomisë shqiptare, ecuri e cila diktohet nga disa probleme strukturore, ku veçoj: fragmentarizimin e tokës, nivelin e ulët të mekanizimit, si dhe integrimin e pakët horizontal dhe vertikal midis fermerëve, tregut dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë. Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 25 miliardë lekësh të destinuar për të mbështetur kreditimin e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme. Ky program, i cili do të vihet në zbatim nëpërmjet bankave tregtare, ofron mundësi për uljen e ndjeshme të kostos së kredisë për këto biznese, e cila mund të arrijë edhe deri në 2%, por gjithsesi, nuk do të kalojë nivelin e 3.5%, duke iu krijuar atyre mundësi të investojnë në asete fizike, mjete kapitale apo platforma teknologjike, të cilat i shërbejnë rritjes së produktivitetit.”

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama theksoi se garancia sovrane do të mbulojë 70% të principalit të kredive të dhëna për bizneset e vogla dhe të mesme në bujqësi.

“Kemi një produkt të kombinuar mes linjës së re të financimit të Bankës së Shqipërisë dhe mbështetjes që qeveria do të japë duke arritur, faktikisht, që përmes Garancisë Sovrane të mbulojë 70% të principalit të kredisë. E kombinuar me programin e bankës, ne mund t’ju themi sot të gjithë atyre që presin më shumë financim, kërkojnë më shumë financim, ju duhet më shumë financim, në sektorin e bujqësisë, se norma e interesit do të jetë vërtetë shumë tërheqëse.”

Rama deklaroi se deri në vitin 2030 synohet që eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliardë euro.

Pavarësisht së kredia për sektorin privat shënoi një normë rritjeje prej 16% gjatë vitit 2024, ajo për sektorin bujqësor vijon të përbëjë më pak se 2% të totalit të kredisë bankare për bizneset.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat