Gara për hekurudhën Vorë – Hani i Hotit - Balluku: Projekt, 370 mln euro. Gonzato: Do kontribuojë edhe për zhvillimin e turizmit
Tenderi është hapur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërkohë që Balluku ndau detajet e projektit, që do të lidhë me hekurudhë Shqipërinë me Malin e Zi.
“120 km, me shpejtësi 120 km në orë me 12 stacione, 12 ura dhe një tunel 320 m në zonën e Lezhës. Totali i investimit 370 milionë euro, të ofruara 50% në formë grant inga BE dhe 50% nga bankat, pra BERZH dhe BEI.”
I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato, i cili tha se ndërtimi i kësaj hekurudhe do t’i shërbejë jo vetëm lëvizjes së qytetarëve, por edhe zhvillimit të turizmit dhe uljes së emetimeve në ajër.
“Ky projekt, pra siç e thamë, do të sjellë përfitime konkrete për të gjitha qytetarët. Por, do të sjellë edhe më shumë turizëm, turizëm ndërkombëtar. Tani, sa u përket këtyre mënyrave të transportit ekologjike, kjo është shumë e rëndësishme edhe për marrëveshjen e gjelbër të BE, dhe natyrisht që kjo do të jetë pjesë edhe e objektivave të Shqipërisë sepse linjat hekurudhore me energji elektrike, do të ulin në fakt ndikimin në mjedis të transportit.”
Ndërkaq, Balluku bëri me dije edhe ecurinë e punimeve në hekurudhën Tiranë – Durrës që aktualisht kanë arritur në masën 80%, ndërsa dha detaje edhe për 2 akset e korridorit 8 hekurudhor.
“Është siguruar financim prej 120 milionë eurosh edhe për linjën Durrës-Rrogozhinë me një gjatësi 34 km sërish me të njëjtin instrument mbështetur nga BE, nga BERZH dhe nga BEI. Kemi gati projektin."
Paralelisht, ka përfunduar projekti që do të lidhë me hekurudhë Shqipërinë me Kosovën. Ndërkohë që, përveç projekteve me financim të huaj, qeveria synon të finacojë edhe projektet për ndërtimin e hekurudhës nga Aeroporti I Vlorës, në Vlorë, si dhe linjës Vlorë – Rrogozhinë.
Fjala e Zv.Kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku- Hapja e garës ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit
I nderuar ambasador Gonzato,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është një kënaqësi e madhe sot të jemi këtu për të vendosur një tjetër gur kilometrik të infrastrukturës shqiptare. Këtë radhë një gur akoma më të rëndësishëm kilometrik pasi bëhet fjalë për një hekurudhë, një pjesë tjetër të rëndësishme të Hekurudhës Shqiptare. Një nga mjetet e transportit, tashmë të konsideruar më të rëndësishëm për politikat e Bashkimit Europian, duke pasur parasysh impaktin e madh që ka në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi. Sidomos ato të Ballkanit Perëndimor.
Duke marrë shkas dhe nga dita e djeshme, një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Malin e Zi përsa i përket çeljes së grup kapitujve të tjerë në tryezën e Bashkimit Europian për fazat e negocimit, kjo hekurudhë ka një domethënie shumë të madhe.
Sot çelim garën ndërkombëtare për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Një hekurudhë e cila lidh edhe një herë Shqipërinë me Malin e Zi, një vend me të cilin ndajmë histori, ndajmë tradita të përbashkëta, por mbi të gjitha ndajmë aspiratën e madhe për tu bërë sa më parë anëtarë të Bashkimit Europian dhe çka mund të kontribuojmë më shumë në aspiratën e popujve tonë se sa baza e një transporti të përbashkët, i një transporti i cili ndërlidh, jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por e bën Shqipërinë pjesë të Korridoreve Paneuroiane.
Kështu që një gur tjetër i themelit vendoset në hekurudhën shqiptare pas progresit shumë të mirë që ne kemi tashmë prej muajsh në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës me segmentin totalisht të ri që çon këtë hekurudhë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Do të ndalesha vetëm pak tek disa fakte shumë të rëndësishme teknike që ky projekt i ri sjell. Është një linjë hekurudhore prej 120 kilometrash e cila fillon nga Vora dhe përfundon në Han të Hotit. Parashikohet që të ndërtohen apo të rikonstruktohen 12 stacione. Kjo hekurudhë do të ketë 12 ura dhe ka dhe një tunel të vendosur në zonën e Lezhës, një tunel me një gjatësi 320 metra. Nga ana tjetër, shpejtësia e kësaj linje hekurudhore parashikohet që të jetë 120 kilometra në orë. Gjithashtu ka një parashikim, në studimin e fizibiltietit, i cili shpjegon se është një rrugë hekurudhore, një rrugë e hekurt e cila do të përshkrohet për 2 orë mesatarisht dhe nga ana tjetër do të ketë një fluks vjetor të 2.3 milionë pasagjerëve ose 900 mijë ton ngarkesa mallrash në vit.
Vënia në funksion e linjës Vorë-Hani i Hotit pritet të jetë edhe me një impakt shumë të rëndësishëm social dhe ekonomik. Pasi në fazën e ndërtimit të kësaj hekurudhe parashikohet që të angazhohen për tu punësuar 1 mijë persona, ndërkohë që në fazën e operimit parashikohet që numri i punonjësve të jetë, vetëm në këtë linjë, 100 persona.
Rritja ekonomike duke përmirësuar infrastrukturën në zonën e projektit, përmirësimi i cilësisë së jetës për popullatën në zonën e shërbimit duke siguruar akses në shërbime të sigurta dhe të besueshme të transportit të pasagjerëve, ulja e kostove për transportin për qytetarët dhe mallrat, janë vetëm disa nga përfitimet kryesore të këtij projekti. Do doja këtu të nënvizoja edhe impaktin e ulët në ndotjen e mjedisit që ka sistemi hekurudhor që është dhe një nga arsyet për të cilat nxitet tashmë nga Bashkimi Europian dhe nga të gjitha vendet për përmirësimin, rehabilitimin e këtyre linjave.
Gjej rastin këtu të falënderoj partnerët tanë, Bashkimin Europian, i cili përmes WBIF, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Europiane të Investimeve kanë financuar projektin e rehabilitimit të linjës Vorë-Hani i Hotit, me një vlerë investimesh prej 370 milionë euro. Ku 50% e këtij financimi vjen në formën e grantit i cili është një nga grantet më të mëdha që ne kemi marrë, pikërisht bazuar në politikat e Bashkimit Europian për të nxitur sa më shumë transportin hekurudhor.
Unë jam e bindur se përvoja që tashmë e kemi konsoliduar pasi ka qenë ky një nga problemet që është shtruar në fillim, a do ishte e mundur që Shqipëria në të njëjtin moment të kishte paralelisht disa projekte të ndërtimit dhe të rehabilitimit të hekurudhave, por si Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, ashtu dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të gjithë ekspertët që i janë bashkuar këtyre projekteve kanë treguar kapacitete fillestare, por edhe kapacitete në rritje që vijnë përmes eksperiencës së këtyre projekteve, ndaj me të vërtetë duhet të themi që i kemi kushtuar vëmendjen e duhur këtij sektori, por duke marrë dhe rezultatet e duhura.
Ne jemi angazhuar maksimalisht, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë strategjikë, për të hartuar projekte të cilat do të kenë një dobi për dekada të tëra në ekonominë e vendit tonë dhe në impaktin social të shqiptarëve. Nga ana tjetër, të gjitha këto financime të siguruara nga Bashkimi Europian garantojnë edhe njëherë vazhdimësinë e proceseve bazë, kolona të cilat sot po kontribuojnë edhe në përmbushjen e kërkesave që negociatat parashtrojnë për Qeverinë Shqiptare dhe për vendin në tërësi.
Gjithashtu do të doja të thoja që aktualisht sot punimet në linjën hekurudhore Durrës-Tiranë-Aeroporti i Rinasit kanë arritur në volumin e 80%, duke shënuar kështu një ecuri shumë të mirë të këtij procesi dhe nga ana tjetër do të nisim së shpejti punimet për ndërtimin e 10 stacioneve të reja që do të shtrihen në të gjithë pjesën e kësaj linje. Krahas linjës Vorë-Hani i Hotit është siguruar financim prej 120 milionë eurosh edhe për linjën Durrës-Rrogozhinë me gjatësi 34 kilometra, sërish me të njëjtin instrument, mbështetur nga Bashkimi Europian, nga BERZH dhe nga BEI.
Kemi gati projektin pre eleminar të linjës Rrogozhinë-Pogradec, duke përmbyllur kështu Korridorin e VIII, si një nga korridoret më strategjikë që shpeshherë ne e përmendim, pasi nuk është thjesht një korridor i transportit rrugor apo atij hekurudhor, por është një transport energjetik gjithashtu dhe nga ana tjetër është një nga korridoret më të rëndësishme strategjike që do të lidhë detin Mesdhe me Detin e Zi. Duke pasur këtu edhe parasysh faktin që tashmë ne kemi nisur të gjitha procedurat për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në zonën e Porto Romanos, i cili do të lidhet me këto rrjete hekurudhore për të krijuar kështu një facilitet, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut përmes portit të thatë të vendosur në zonën e Strugës, por ka pasur një ndryshim nga qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar që ky port të ndërtohet në zonën e Shkupit dhe nga ana tjetër edhe porti i thatë që do të ndërtohet në Prishtinë.
Porti i thatë i cili do të ndërtohet në Prishtinë, kemi një lajm tjetër për të pasi tashmë ne kemi gati studimin e fizibilitetit për projektin paraprak të linjës Durrës-Prishtinë me gjatësi 105 kilometra, duke ndërlidhur kështu Shqipërinë në disa prej pikave dalëse, pra kufijve tanë me vendet fqinje. Deri tani ne kemi kërkuar bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtare për financimin e projekteve hekurudhore, megjithatë ne besojmë që ka ardhur koha që Qeveria Shqiptare mund të mundësojë edhe një pjesë të këtyre financimeve, pra për linjat e brendshme sidomos nga buxheti i shtetit.
Këtu do të desha të nënvizoja dy projekte të tjera të rëndësishme që është ai që konkretisht do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin e Vlorës, duke qenë që një aeroport i atij kapaciteti, një aeroport i cili përmbush të gjitha kushtet e kategorisë 4 E, një aeroport që synon të jetë një nga aeroportet më të mëdha të rajonit tonë, duhet patjetër të jetë i ndërlidhur me sistem hekurudhor me qytetin pritës, atë të Vlorës. Nga ana tjetër, gjithashtu po punojmë për fizibilitetin e linjës së dytë, atë që lidh qytetin e Vlorës me Rrogozhinën, duke e bërë kështu një pjesë të ndërlidhur me të gjitha pjesët e tjera të hekurudhës që sot jemi duke prezantuar.
Siç duket qartë nga gjithë këto projekte që janë në vijimësi angazhimi i qeverisë shqiptare është shumë serioz për ti rikthyer shkëlqimin sistemit të transportit hekurudhor në vend, por mbi të gjitha duke e modernizuar atë në të gjithë komponentët e tij, sidomos edhe në atë të dixhitalizimit. Ky angazhim është pjesë e një strategjie të re, më të gjerë, për të integruar Shqipërinë më shumë dhe më ngushtë në rrjetin europian të transportit, duke i hapur mundësi të reja zhvillimit për qytetarët, por padyshim edhe për bizneset shqiptare. Ne jemi të përkushtuar që të investojmë në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, duke e bërë Shqipërinë një pikë kyçe në lidhjet e transportit për Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën.
Ju falënderoj dhe me të vërtetë sot kjo është një ditë e shënuar dhe ne e kemi bërë tashmë traditë që në fundvit të sjellim disa lajme të mira, kështu që dhe në ditët në vazhdim ne do kemi mundësi që të hapim disa gara të tjera ndërkombëtare apo të lançojmë disa projekte të reja pikërisht që lidhen me infrastrukturën.
Shumë faleminderit!
Sondazh

Regjistër digjital për objektet e konfiskuara - Të dhëna shteruese për individët dhe pronat që do administrohen
Qeveria ka miratuar vendimin ku përcaktohen rregullat për administrimin e regjistrit të objekteve të konfiskuara dhe të dhënave të tij. Vendimi në fjalë i......

BE, ngadalësohet zgjerimi i paneleve diellore - Reduktimi i instalimeve të reja rrezikon përmbushjen e objektivave të 2030
Rritja e instalimeve të energjisë diellore në Evropë ra në vetëm 4% këtë vit pas disa vitesh të rritjes dyshifrore, sipas të dhënave të industrisë, duke......

Lista e plotë/ Emërohen shefat e komisariateve të Policisë sipas drejtorive vendore përkatëse!
Në përfundim të fazave të konkurrimit për pozicionin “Shef Komisariati” dhe pas përfundimit të procesit të ankimimit nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave,......

Shkalla e papunësisë në Kanada arrin në nivelin më të lartë të 8 viteve!
Kanadaja kishte 1.5 milionë njerëz të papunë në nëntor, duke e çuar shkallën e saj të papunësisë në një nivel të lartë gati tetëvjeçar jashtë epokës së......

Teknologjia, mundësia për rimëkëmbjen e fasonëve - Balluku: Të rinjtë e aftë në dizajn, kodim e marketing mund të përfshihen
Me gjithë problemet nga zhvlerësimi i euros, që është shoqëruar nga një rënie e eksporteve të produkteve tekstile, sektori fason mbetet ende aktiv për të......

“Energjia gjeotermike, drejt zgjerimit global” - IEA liston avantazhet në raport me burimet e tjera të rinovueshme
"Energjia gjeotermike mund të shohë një rritje globale transformuese falë përparimeve në teknologji dhe ekspertizës nga sektori i naftës dhe gazit," tha......

Transfertat personale të parave: Cili vend i BE-së dërgon më shumë jashtë bllokut dhe ku renditet vendi ynë?
Sasia e parave që njerëzit dërgojnë jashtë Bashkimit Europian po rritet me shpejtësi. Që nga viti 2018, ajo u hodh me 20 miliardë euro, duke arritur një......

Eksportet ngadalësojnë rënien, por “drama” vazhdon/ Në 11 muaj, të huajt blenë rreth 55.7 mld lekë më pak mallra se vjet
Rënia e eksporteve duket se është ngadalësuar në muajin Nëntor të këtij viti tregojnë të dhënat më të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Në muajin e......