Shqipëria Postuar më 14 Mars 2026, 13:21

“Fuqizimi i grave, prioritet kombëtar” - Ministrja e Shëndetësisë prezanton raportin mbi zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare

Nga Ledina Elezi

“Fuqizimi i grave, prioritet kombëtar” - Ministrja e

Shqipëria prezantoi në Kombet e Bashkuara përparimin e bërë në barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Në Sesionin e 70-të të Komisionit për Statusin e Grave në United Nations, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala paraqiti raportin vullnetar të vendit mbi zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi se përfshirja e grave në jetën publike dhe eliminimi i dhunës ndaj tyre mbeten elemente thelbësore për demokraci funksionale dhe institucione të qëndrueshme.

“Konkluzionet e KSG65, të miratuara në vitin 2021, identifikuan pjesëmarrjen e plotë, barabartë dhe domethënëse të grave në vendimmarrje dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave, si elemente thelbësore për demokraci funksionale, institucione të qëndrueshme dhe zhvillim gjithëpërfshirës. Pa siguri nuk mund të ketë pjesëmarrje të vërtetë dhe të barabartë. Pa pjesëmarrje të vërtetë dhe të barabartë nuk mund të ketë demokraci funksionale”, tha ajo.

Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të mekanizmave për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave, si dhe zgjerimin e shërbimeve mbështetëse për viktimat.

“Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për barazinë gjinore, sepse ajo nuk është një privilegj, por një e drejtë themelore e njeriut. Fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është vetëm i drejtë, por është edhe i mençur: ndërton ekonomi më të forta, institucione më gjithëpërfshirëse dhe demokraci më të qëndrueshme”, u shpreh Sala.

Sipas ministres, Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në vitet e fundit përmes reformave ligjore dhe politikave që synojnë barazi më të madhe gjinore. Mes tyre është edhe ligji i ri për barazinë gjinore, i cili promovon përfaqësim të balancuar në institucionet publike dhe private dhe synon arritjen e barazisë së plotë deri në vitin 2035. Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje të pjesëmarrjes së grave në politikë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat