Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2026, 11:39

Fundi i “ngërçit” të pronave? - Qeveria përgatit paketën e ligjeve. Një datë për dy procese, legalizimet dhe integrimin në BE

Nga Ledina Elezi

Fundi i “ngërçit” të pronave? - Qeveria

Procesi i legalizimit të pronave në Shqipëri pritet të përfundojë në 2028, e cila përkon me datën në të cilën Shqipëria synon të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Objektivi është që të gjitha pronat “të rregullohen” para anëtarësimit në BE. Nga shkrirja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave në një agjenci të vetme, te kontrolli “derë më derë” i të gjithë pronave që janë ndërtuar pa leje, qeveria ka hartuar 3 projektligje që pritet t’i japin fund “ngërçit” të pazgjidhur prej vitesh të pronave.

Projektligjet rregullojnë procesin e administrimit, regjistrimit apo transferimit të pronave. Që të respektohet afati i vendosur, parashikohet që të përshpejtohen procedurat dhe vendimi të merret brenda 30 ditëve, kundrejt pagesës së një tarife shtesë.

Përqendrimi i rregullave në një kuadër të vetëm ligjor, do t'i bëjë ato më të qarta për institucionet që i zbatojnë dhe vetë qytetarët. Njëkohësisht, do të arrihet respektimi i parimit të sigurisë juridike, si bazë e shtetit të së drejtës. Siguria juridike ka si kërkesë të domosdoshme faktin që ligji në tërësi, pjesë apo dispozita të veçanta të tij, duhet të jenë të qarta, të përcaktuara dhe të kuptueshme.

Këto ndryshime nuk kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, pasi kjo e fundit nuk ka një legjislacion detyrues të drejtpërdrejtë për shtetet anëtare në lidhje me regjimin juridik të pronësisë apo organizimin e sistemeve kadastrale. Çështjet e pronave mbeten kryesisht në kompetencën e brendshme të shteteve dhe BE nuk ndërhyn. Megjithatë, projektligjet përcaktojnë respektimin e disa standardeve dhe praktikave evropiane.

Pasiguria mbi titujt e pronësisë dhe regjistrimi jo i plotë i pronave mbeten faktorë që pengojnë investimet. Nëse Shqipëria përmirëson regjistrimin, titujt e pronësisë dhe sigurinë juridike, kjo mund ta bëjë tregun më tërheqës për investitorët. Kjo mund të krijojë presion për rritje të çmimeve në zonat me kërkesë të lartë.

Gjithashtu, anëtarësimi i vendit në BE pritet të rrisë kërkesën dhe interesin për pronat. Sipas vlerësimit të ekspertëve, kjo mund të ndikojë në rritjen graduale të çmimeve nga 20-40% në një hark kohor 5-7 vjet për zonat me tituj të qartë pronësie, ajër të pastër, lidhje të mira transporti dhe infrastrukturë të mirëmbajtur. Megjithatë, efekti nuk është automatik dhe nuk do të jetë i njëjtë në të gjithë Shqipërinë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat