Shqipëria Postuar më 10 Gusht 2026, 13:31

Fund procedurave të gjata për të marrë hua - Zefi: Me Byrotë e kreditit, bankat do të vendosin më shpejt. Historiku financiar, kyç në vlerësim

Nga Ledina Elezi

Fund procedurave të gjata për të marrë hua - Zefi: Me

Me krijimin e Byrove të kreditit, qytetarët nuk do të përballen më me procedurat e gjata që kanë aktualisht bankat për të dhënë kredi, pasi këto të fundit do të kenë në dispozicion një bazë të plotë të dhënash që verifikon besueshmërinë e klientëve, duke e bërë kështu vendimmarrjen më të shpejtë.

Sipas pedagogut Altin Zefi, procesi i kredidhënies pritet të bëhet më i thjeshtë në vijim, teksa qytetarët dhe bizneset me një historik të mirë të shlyerjes së kredive të mëparshme apo pagesave të tjera, do të “shpërblehen”, ndërsa ata me historik jo të mirë, do të penalizohen.

“Sigurisht do të lehtësojë kredidhënien, do të rezultojë në uljen e normës kreditore për shumë qytetarë, por mund ta bëjë më të vështirë për ata qytetarë të cilët kanë patur probleme në pagesën e shtyrë të kredive dhe të detyrimeve të tyre tatimore, sepse renditja e tyre kreditore do të jetë më e ulët. Pra, sigurisht kjo është një thirrje, është një ftesë për të gjithë ne, për të gjithë qytetarët që të jenë të përgjegjshëm që kur marrin një kredi, të paguajnë, të shlyejnë detyrimet në kohën e caktuar, në mënyrë që të mos bjerë renditja e tyre kreditore, të mos jetë e ulët, që në momentin që aplikojnë për një kredi kur kanë nevojë, të aprovohet”, theksoi Zefi.

Nga dallojnë Byrotë e kreditit nga Regjistri i kredisë që ekziston aktualisht? Pedagogu shprehet se regjistri i kredisë mbahet nga Banka e Shqipërisë dhe mbledh të dhënat për çdo individ që merr apo aplikon për një kredi, duke i ruajtur si në regjistër, por të papërpunuar dhe jo të gatshëm për informacion për bankat e nivelit të dytë apo institucionet e tjera financiare.

“Në vende të rajonit, Regjistri i kredisë përmban të dhëna për rreth 40% të qytetarëve, ndërsa byrotë e kredisë së këtyre vendeve kanë informacion për pothuajse 100% të qytetarëve, sepse informacioni i tyre nuk buron vetëm nga institucionet financiare si bankat apo shoqëritë e kursim-kreditit e të tjera, por gjithashtu marrin informacion dhe nga institucionet e qeverisjes vendore, nga ofruesit e shërbimeve publike. Dhe në momentin që ky individ aplikon për kredi, institucioni financiar në të cilin aplikon ky individ mund të ketë në dispozicion të dhënat financiare dhe sjelljen financiare të këtij individi duke e ulur kohën e vendimmarrjes, duke e bërë informacionin për këtë individ që kërkon të marrë kredi më të plotë, më të shpejtë. Dhe në këtë mënyrë nëse një kredimarrës, një kërkues është i përgjegjshëm, ka paguar faturat në kohë, ka qenë i përgjegjshëm në aspektin financiar, gjithashtu ulet edhe norma e interesit”, tha ai.

Banka e Shqipërisë do të vendosë në dispozicion të dhënat nga Regjistri i Kredisë për të krijuar bazën fillestare të të dhënave për Byrotë e kreditit dhe nuk do të ketë rol tjetër, ndërsa projektligji nuk jep detaje nëse do të ketë një institucion që do të monitorojë këto subjekte.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat