Shqipëria Postuar më 13 Janar 2026, 10:45

Fshihen 1 miliardë euro detyrime të bizneseve - Presidenti dekreton 7 ligje të paketës. Gati zbatimi i paqes fiskale

Nga Elisabeta Dosku

Fshihen 1 miliardë euro detyrime të bizneseve - Presidenti dekreton 7

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar 7 ligje të paktës fiskale, për t’i hapur më tej rrugë botimit në Fletoren Zyrtare dhe më tej hyrjes në fuqi. Ndër ligjet më të rëndësishme është marrëveshja për paqen fiskale midis bizneseve dhe administratës tatimore si dhe falja e detyrimeve tatimore dhe doganore më të vjetra se 10 vjet.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se paqja fiskale do të jetë një marrëveshje midis Administratës tatimore dhe bizneseve e gjeneruar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, e cila shmang kontrollet tatimore, përmirëson klimën e biznesit, por nga ana tjetër garanton mbledhjen e detyrimeve tatimore përmes një tatimi të dakordësuar për fitimin.

Kështu, tatimpaguesit, mund të aplikojnë në e-filing për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale. Ndërsa tatimi do të dakordësohet mbi një formulë, bazuar në fitimet e deklaruara dhe një marzh fitimi ekstra, pra mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.

Përfituese janë të gjitha bizneset e mëdha me fitime mbi 14 milionë lekë që nuk kanë detyrime të papaguara dhe nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë , si dhe nuk janë subjekt hetimi nga administrata tatimore. Kjo marrëveshje do të jetë në fuqi deri në fund të vitit 2028.

Ndërsa ligji i faljes parashikon që nga 1 janari 2026 të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara, direkte apo indirekte, të papaguara,  si dhe gjobat apo kamatvonesat, që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, të fshihen automatikisht. Të vetmet detyrime që përjashtohen janë ato të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Sa i takon detyrimeve tatimore me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri në 31 dhjetor 2019 do të aplikohet një skemë tjetër.  

Konkretisht do të shuhet 50% e detyrimit tatimor nëse pjesa e mbetur 50% e tatimi/taksës/tarifës paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026. Si dhe shuhet 25% e detyrimit tatimor nëse pjesa e mbetur 75% e tatimit/taksës/tarifës, paguhet me këste mujore të barabarta brenda datës 31.12.2026. Në të dyja këto raste gjobat dhe kamatëvonesat do të fshihen.

Ndërsa, gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet që i përkasin periudhave tatimore  nga 1 janar 2020 deri në 31 dhjetor 2024  do të shuhen me kusht që tatimi/taksa/tarifa për periudhën përkatëse të paguhet brenda datës 31.12.2026.

Si rrjedhojë e zbatimit të këtij ligji përfitojnë afro 207 mijë biznese dhe janë afro 1 miliardë euro që do të falen.

Një ndër ligjet e dekretuara nga Presidenti është dhe ai i kompensimit të fermerëve me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore, e cila pritet të sjellë efekte pozitive në sektor.

Shqipëria 13 Janar Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur këtë të martë në rritje duke fituar pikë nga një ditë më parë teksa është blerë këtë mëngjes me 82.3 lekë dhe është shitur me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat