Shqipëria Postuar më 9 Maj 2026, 12:53

Franca asiston Shqipërinë për rikuperimin dhe administrimin e aseteve të krimit të organizuar

Nga SCAN TV

Franca asiston Shqipërinë për rikuperimin dhe administrimin e

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) zhvilloi një takim pune me përfaqësues të AGRASC, Agjencisë Franceze për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si edhe me përfaqësues të Ambasadës Franceze në Shqipëri.

Takimi u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe franceze në fushën e identifikimit, sekuestrimit, konfiskimit dhe administrimit të aseteve kriminale.

Në takim morën pjesën Kryeaministratorja e AAPSk, znj. Risena Xhaja, zv.ministrja e Ministrisë së Brendshme, Silva Caka dhe Drejtori i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ARO), Arben Ujkaj, ndërsa nga pala franceze ishin të pranishëm znj. Charlotte Hemmerdinger, Drejtore e Përgjithshme e AGRASC, z. Samuel Richard, Zëvendësambasador i Francës në Shqipëri, si edhe z. Jetnor Isufaj nga Zyra e Sigurisë së Brendshme e Ambasadës Franceze.

Gjatë diskutimeve u vlerësua eksperienca dhe ekspertiza e konsoliduar franceze në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe në menaxhimin e pasurive kriminale, veçanërisht përmes strukturave si PIAC dhe AGRASC.

Palët diskutuan mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit teknik, përfshirë shkëmbimin e eksperiencave, organizimin e trajnimeve, vizitave studimore dhe mbështetjen në forcimin e kapaciteteve institucionale të AAPSK dhe strukturave partnere shqiptare.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe mbështetja franceze në kuadër të një programi të ardhshëm europian për binjakëzim institucional, me një buxhet prej rreth 2 milionë eurosh, i cili synon të mbështesë AAPSK dhe ARO në forcimin e mekanizmave për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

Gjithashtu, u diskutua mbi vizitën e punës që një delegacion i AAPSK do të zhvillojë në Paris në muajin qershor 2026, ku do të zhvillohen takime me përfaqësues të AGRASC, PIAC dhe institucioneve të tjera franceze në këtë fushë.

AAPSK mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimin me praktikat më të mira europiane në funksion të luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe rikthimit të aseteve kriminale në shërbim të interesit publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat