Shqipëria Postuar më 25 Mars 2026, 13:53

Forumi i II i biznesit Shqipëri-Japoni/ Ibrahimaj: Bashkëpunim ekonomik dhe investimet dypalëshe në fokus

Nga Edel Strazimiri

Forumi i II i biznesit Shqipëri-Japoni/ Ibrahimaj: Bashkëpunim

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në forumin e dytë të biznesit Shqipëri-Japoni, një platformë kyçe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Forumi mblodhi përfaqësues të lartë institucionalë dhe të komunitetit të biznesit nga Shqipëria dhe Japonia, duke përfshirë aktorë kyç në nxitjen e investimeve dhe zhvillimit ekonomik dypalësh, ndër të cilët ambasadorja e Japonisë në vendin tonë, Kikuko Kato dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni, Avni Ponari.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se organizimi i forumit për të dytin vit radhazi reflekton një angazhim të qëndrueshëm për të kthyer interesin në investime reale. Ibrahimaj vuri në dukje se edicioni i parë hodhi themelet për identifikimin e potencialeve të bashkëpunimit, ndërsa ky edicion synon konkretizimin e tyre në projekte dhe partneritete të prekshme.

Duke iu referuar treguesve aktualë ekonomikë, Ministrja nënvizoi se shkëmbimet tregtare midis dy vendeve mbeten ende nën potencialin e tyre, me eksporte shqiptare drejt Japonisë rreth 850 milionë lekë dhe importe që arrijnë rreth 3.6 miliardë lekë.

Gjithashtu, ajo evidentoi praninë ende të kufizuar të kompanive japoneze në Shqipëri, duke theksuar se kjo situatë paraqet një mundësi të konsiderueshme për zgjerimin e bashkëpunimit, veçanërisht në sektorë me vlerë të shtuar.

Në fokus të forumit ishin sektorët strategjikë me potencial të lartë zhvillimi, si industria përpunuese, energjia e pastër, infrastruktura dhe logjistika, turizmi dhe teknologjia. Këta sektorë, theksoi Ministrja, ofrojnë mundësi konkrete për investime dhe integrim në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjithashtu instrumentet mbështetëse për investitorët e huaj, duke përfshirë procedurat e përshpejtuara për investitorët strategjikë, aksesin në infrastrukturë moderne dhe politikat mbështetëse për inovacionin.

“Këto masa janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit dhe lehtësimin e investimeve të huaja”, deklaroi Ministrja.

Forumi synon të shërbejë si një mekanizëm konkret bashkëpunimi, duke mundësuar identifikimin e projekteve prioritare, krijimin e partneriteteve biznes-biznes dhe ndërtimin e një baze të qëndrueshme investimesh ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë.

Edhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni, Avni Ponari, vlerësoi rëndësinë e forumit si një platformë konkrete për dialog dhe bashkëpunim, duke theksuar se takimi synon të afrojë më tej dy ekonomitë dhe të shndërrojë idetë në projekte të zbatueshme.

Ai nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi i deritanishëm dhe kontaktet direkte mes komuniteteve të biznesit kanë konfirmuar potencialin për partneritete të qëndrueshme dhe afatgjata.

Ministrja Ibrahimaj rikonfirmoi angazhimin e saj për të mbështetur çdo iniciativë që kontribuon në rritjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të përbashkët, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një mundësi të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat