Shqipëria Postuar më 26 Shkurt 2026, 12:41

Formula, si rivlerësohen tokat? - Ndryshimi midis çmimeve të referencës në fuqi dhe vlerës së tregut

Nga Elisabeta Dosku

Formula, si rivlerësohen tokat? - Ndryshimi midis çmimeve të

Tokat në pronësi të individëve, janë një tjetër aset që mund të rivlerësohen me normën tatimore 5 %, për të rritur vlerën e tyre në nivelin e çmimeve të referencës apo të tregut.

Por si veprohet në rastin e rivlerësimit të tokave? Referuar udhëzimit tashmë në fuqi, kur rivlerësimi bëhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës , në rastin e tokave çmimi minimal fiskal është çmimi për metër katror sipërfaqeje, i përcaktuar në hartën e vlerave, sipas aktit nënligjor në fuqi në datën e rivlerësimit.

Harta e vlerës së tokave në fuqi rezulton ajo e përditësuar me vendim të vitit 2016, çka bën që vlerat fiskale të jenë të ulëta në raport me zhvillimin e tregut të pronave gjatë viteve të fundit. Vlera e tokës ndryshon në varësi të njësisë administrative të një bashkie.

Pra e thënë ndryshe,  për zonën e Paskuqanit në Kamzë, çmimi i referencës për tokë truall rezulton 35 euro/m2. Dhe individët që do të zgjedhin procedurën e rivlerësimit përmes ASHK-së, do të kenë mundësi që ta çojnë pronën e tyre deri këtë vlerë, pavarësisht se me çmim tregu ajo mund të jetë më e lartë.  Pra për sipërfaqe tokë prej 1 mijë m2 në bazë të çmimit referencë prej rreth 35 euro/m2, prona do të regjistrohet në një vlerë totale prej 35 mijë euro.  Në të njëjtën formë do të funksionojë formula në të gjithë Shqipërinë.

Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme.

Formula edhe në rastin e rivlerësimit të tokave është e njëjtë. Le të marrim shembullin e një toke bujqësore në Tiranë me sipërfaqe 1 ha dhe vlera aktuale të regjistruar 20,000 euro ndërkohe që vlera e tregut sipas aktit të ekspertit rezulton në 70,000 euro.

Diferenca e tatueshme në këtë rast është 50.000 euro dhe tatimi i paguar 5% x 50.000 euro, rezulton në 2500 euro.

Pra, prona regjistrohet në vlerën 70 mijë euro, rritja e vlerës është 50 mijë euro, ndërsa qytetari paguan 2500 euro.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat