Shqipëria Postuar më 25 Shkurt 2026, 15:33

Forcohet bashkëpunimi Doganë-AKU për garantimin e sigurisë ushqimore

Nga SCAN TV

Forcohet bashkëpunimi Doganë-AKU për garantimin e sigurisë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së efikasitetit të kontrolleve në pikat e kalimit kufitar.

Në fokus të diskutimeve ishte thellimi i koordinimit operacional ndërmjet strukturave të Doganës dhe inspektorëve të AKU-së, me synim konsolidimin e kontrolleve të përbashkëta dhe rritjen e kapaciteteve parandaluese ndaj çdo rreziku që cenon sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave theksoi domosdoshmërinë e harmonizimit të indikatorëve të riskut dhe integrimit të analizës së riskut në proceset e përzgjedhjes për kontroll, në mënyrë që ndërhyrjet të jenë të targetuara, proporcionale dhe të bazuara në inteligjencë operative. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit sistematik të informacionit në kohë reale për ngarkesat që paraqesin sinjalizime apo profile risku, duke rritur kështu nivelin e monitorimit dhe gjurmueshmërisë.

Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së vlerësoi rolin kyç të pranisë së inspektorëve në degët doganore, si një hallkë thelbësore në garantimin e zinxhirit të sigurisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore. Ajo bëri të ditur se do të vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse në pikat doganore, përfshirë magazinat dhe ambientet frigoriferike, me qëllim përmbushjen e standardeve të kërkuara ligjore dhe teknike.

Të dy drejtuesit vlerësuan sigurinë ushqimore si një prioritet strategjik, duke theksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe garantimi i standardeve të sigurisë në import mbeten objektiva parësore të bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kuadër, u dakordësua intensifikimi i mekanizmave të koordinimit dhe ngritja e praktikave të përbashkëta të kontrollit, veçanërisht në degët doganore kufitare.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe agjencitë përgjegjëse, në funksion të garantimit të sigurisë, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat