Shqipëria Postuar më 13 Gusht 2026, 13:06

Forcimi i lekut “zbuti” inflacionin nga jashtë - Themeli: Banka e Shqipërisë pret një rritje të lehtë të çmimeve në muajt e ardhshëm

Nga Ledina Elezi

Forcimi i lekut “zbuti” inflacionin nga jashtë - Themeli: Banka

Kursi i këmbimit, pra forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros, kanë bërë të mundur që rritja e çmimeve jashtë vendit të mos përcillej aq shumë në ekonominë shqiptare. Kështu është shprehur Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, i cili theksoi se në reduktimin e inflacionit nga jashtë ka ndikuar edhe politika fiskale.

“Dëshiroj të theksoj edhe dy konstatime që janë bërë nga Këshilli Mbikëqyrës, faktin që forcimi i vazhdueshëm i kursit të këmbimit vazhdon të ndihmojë në reduktimin e përcjelljes të inflacionit të huaj në tregjet shqiptare dhe po ashtu faktin që kahu konsolidues i politikës fiskale, ushtron një ndikim frenues në inflacion, pra në tërësi, i gjithë konteksti makroekonomik, politika monetare, zhvillimet në kursin e këmbimit dhe politika fiskale u gjykuan se ishin të përshtatshme për ruajtjen e inflacionit në të ardhmen”, tha Themeli.

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ndikoi në rritjen e inflacionit nga 2.5% që ishte në tremujorin e parë, në 3% në tremujorin e dytë, por ajo vazhdon të mbetet brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, çmimet do të rriten edhe më shumë në vijim.

“Banka e Shqipërisë pret që në horizontin afatmesëm, inflacioni të qëndrojë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Presim një nivel inflacioni disi më të lartë se objektivi jonë në terma afatshkurtër, në dy tremujorët e mbetur të vitit 2026 dhe dy tremujorët e parë të vitit 2027, por gjithsesi jo një shmangie të ndjeshme mbi objektiv dhe më tej, duke filluar nga viti 2027 presim një rënie graduale dhe progresive të inflacionit në objektiv”, theksoi Drejtori i Politikës Monetare.

Ndërkohë, norma bazë e interesit, e cila konsiderohet të jetë më e ulëta në rajon dhe në krahasim me normën bazë të interesit të Bankës Qendrore Evropiane, ka sjellë rritje të shpejtë të kreditimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat