Shqipëria Postuar më 7 Qershor 2025, 11:00

Forcat shqiptare vijojnë stërvitjen në “Defender 25”- Rama: Programi më i madh dhe kompleks i dekadës së fundit

Nga Hamit Yzeiraj

Forcat shqiptare vijojnë stërvitjen në “Defender 25”-

Forcat e Armatosura të Shqipërisë vazhdojnë stërvitjen e tyre në kuadër të “Defender 25” në Portin e Durrësit.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka publikuar pamje nga angazhimi i trupave shqiptare në këtë stërvitje ndërkombëtare të përmasave të mëdha.

“Forcat e Armatosura vijojnë stërvitjen 'Defender 25', një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë, që zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të Ushtrisë së SHBA-së, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s,” shkruan Rama në postimin e tij.

DEFENDER 25 është stërvitja më e madhe vjetore e Ushtrisë së SHBA-së në Evropë, e cila synon të testojë dhe përmirësojë aftësinë për të dislokuar personel dhe pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara drejt Evropës dhe Afrikës, në mbështetje të operacioneve të mëdha luftarake.
E organizuar nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, kjo stërvitje përfshin përdorimin e rezervave të parapozicionuara ushtarake dhe demonstron fuqinë goditëse dhe ndërveprimin e forcave amerikane me ato aleate.

Faza e “Immediate Response” e Defender 25, që po zhvillohet aktualisht në Ballkan, nisi më 26 maj dhe do të zgjasë deri më 9 qershor. Në këtë fazë, që përfshin edhe Shqipërinë, fokusi është në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet ushtrive të rajonit, si dhe në zhvendosjen e trupave përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhore në kushte operacionale.

Pas përfundimit të kësaj faze, stërvitja do të zhvendoset në kontinentin afrikan, duke vijuar me fazën tjetër të planifikuar, gjithashtu me pjesëmarrjen e forcave ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat