Shqipëria Postuar më 1 Gusht 2026, 12:33

Forbes rekomandon Shqipërinë për pensionistët amerikanë/ Nivel i ulët kostosh, siguri, kujdes shëndetësor dhe lehtësi procedurash

Nga Fabjona Pasho

Forbes rekomandon Shqipërinë për pensionistët

Shqipëria renditet në krye të listës së revistës prestigjioze Forbes me vendet më të përshtatshme ku pensionistët amerikanë mund të zgjedhin të jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara. Në analizën e saj, revista vlerëson vendet bazuar në koston e jetesës, kujdesin shëndetësor, lehtësinë për të fituar të drejtën e qëndrimit, sigurinë dhe rrezikun klimatik.

Sipas Forbes, Shqipëria ofron një kombinim të kostove të ulëta të jetesës, klimës mesdhetare dhe peizazheve bregdetare e malore, ndërsa renditet si alternativa më e favorshme për pensionistët amerikanë që synojnë të largohen nga vendi i tyre për arsye ekonomike apo politike. Revista veçon Tiranën, Durrësin, Sarandën dhe Vlorën si destinacionet më tërheqëse për këtë kategori.

Në artikull theksohet se kostoja e jetesës në Shqipëri është rreth gjysma e mesatares në SHBA, ndërsa niveli i kriminalitetit konsiderohet i ulët dhe procedurat për të fituar të drejtën e qëndrimit vlerësohen relativisht të lehta. Kujdesi shëndetësor përshkruhet si i përballueshëm dhe në përmirësim, megjithëse për shërbime të specializuara disa pacientë vijojnë të zgjedhin Italinë ose Britaninë e Madhe.

Forbes nënvizon gjithashtu se qytetarët amerikanë mund të qëndrojnë në Shqipëri deri në një vit si turistë, periudhë gjatë së cilës mund të aplikojnë për leje më afatgjata qëndrimi. Revista përmend edhe mundësinë e pajisjes me "Leje Unike" për nomadët digjitalë, e cila mund të rinovohet deri në pesë herë dhe të shërbejë si një nga rrugët drejt qëndrimit afatgjatë. Më pas mund të aplikohet për vizën D dhe vizën e pensionit, për të cilën një çift duhet të provojë të ardhura vjetore nga pensioni prej rreth 20 mijë dollarësh.

Megjithatë, analiza evidenton edhe disa kufizime, si mungesën e një marrëveshjeje tatimore mes Shqipërisë dhe SHBA-së për shmangien e tatimit të dyfishtë, nevojën për sigurim shëndetësor privat, si edhe faktin që fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara kërkojnë të paktën një tranzit. Përmbytjet si pasojë e stuhive përmenden gjithashtu si një nga rreziqet natyrore që duhen marrë në konsideratë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat