Fondi i gjelbër: 1 pemë për 30 metër katrore ndërtim, detyrimet e reja për subjektet zhvilluese të territorit

Në mbledhjen e saj të fundit qeveria ka miratuar krijimin, funksionimin dhe administrimin e fondit të gjelbër të pemëve, në kuadër të zhvillimit të territorit e të hapësirave publike. Sipas vendimit qëllimi i tij është garantimi i integrimit të elementeve të gjelbërimit në zhvillimin e territorit, rritja e sipërfaqeve të gjelbëruara në vend dhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe i hapësirave publike.
Një nga pikat e rëndësishme të këtij vendimi është edhe përcaktimi i detyrimit për të mbjellë pemë për të gjithë kompanitë e subjektet që përfitojnë leje ndërtimi.
Kështu është bërë e detyrueshme që çdo subjekt zhvillues, që pajiset me leje ndërtimi duhet të mbjellë:
1 pemë për çdo 30 m² sipërfaqe ndërtimi, por në çdo rast, jo më pak se 20 pemë për kat ndërtimi për të gjitha objektet rezidenciale dhe turistike, por jo më shumë se 500 pemë për çdo leje ndërtimi;
10 pemë për çdo vilë apo shtëpi individuale banimi;
10 pemë për magazinat bujqësore dhe industriale;
Për centralet e prodhimit të energjisë, 10 pemë për megavat, por jo më shumë se 500 pemë për çdo leje ndërtimi.
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, FUNKSIONIMIN DHE ADMINISTRIMIN E FONDITTË GJELBËR TË PEMËVE, NË KUADËR TË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT E TË HAPËSIRAVE PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 39, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti dhe qëllimi
1. Ky vendim përcakton rregullat për krijimin, funksionimin dhe administrimin e fondit të gjelbër të pemëve, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
2. Qëllimi i fondit të gjelbër të pemëve është:
a) garantimi i integrimit të elementeve të gjelbërimit në zhvillimin e territorit;
b) rritja e sipërfaqeve të gjelbëruara;
c) përmirësimi i cilësisë së jetës dhe i hapësirave publike;
ç) përcaktimi i mënyrave dhe i procedurave të përdorimit e të shpërndarjes së pemëve për nevoja publike dhe peizazh urban.
Neni 2
Krijimi i fondit
1. Krijohet fondi i gjelbër i pemëve (në vijim fondi), si instrument në funksion të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit dhe të rritjes së sipërfaqeve të gjelbëruara.
2. Fondi funksionon si fond fizik, i përbërë nga fidanë dhe pemë për mbjellje, i cili administrohet në nivel qendror nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (në vijim AZHT).
3. Fondi përdoret ekskluzivisht për:
a) mbjelljen e fidanëve dhe pemëve;
b) rehabilitimin e hapësirave të gjelbëruara;
c) mirëmbajtjen e tyre.
4. AZHT-ja është përgjegjëse për:
a) krijimin e stokut kombëtar të fidanëve dhe pemëve;
b) planifikimin kombëtar të nevojave për gjelbërim, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, pas bashkërendimit të procesit me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministrinë përgjegjëse për mjedisin;
c) shpërndarjen e fidanëve dhe pemëve për projekte publike nga institucionet qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas kërkesave dhe nevojave të organeve qendrore e vendore.
Neni 3
Bashkëpunimi me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore
1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë përgjegjëse për:
a) identifikimin e hapësirave për mbjellje në territorin administrativ të tyre;
b) zbatimin në terren me strukturat përgjegjëse, duke mbjellë fidanët dhe pemët në zonat e miratuara nga AZHT-ja;
c) mirëmbajtjen e pemëve dhe fidanëve të mbjellë;
ç) raportimin periodik në AZHT.
2. AZHT-ja, pas identifikimit dhe propozimit të hapësirave për mbjellje në territorin administrativ nga secila bashki, miraton zonat e përcaktuara për krijimin e fondit të gjelbër në territorin e secilës bashki.
3. AZHT-ja, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, përcakton llojet e bimësisë që do të përdoret, në përputhje me karakteristikat territoriale dhe kushtet mjedisore të zonave përkatëse.
Neni 4
Detyrimi për mbjelljen e pemëve nga lejet e ndërtimit
1. Çdo subjekt zhvillues, që pajiset me leje ndërtimi, është i detyruar të kontribuojë në fond.
2. Kontributi përcaktohet, si më poshtë vijon:
a) 1 (një) pemë për çdo 30 (tridhjetë) m² sipërfaqe ndërtimi, por në çdo rast, jo më pak se 20 (njëzet) pemë për kat ndërtimi për të gjitha objektet rezidenciale dhe turistike, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi;
b) 10 (dhjetë) pemë për çdo vilë apo shtëpi individuale banimi;
c) 10 (dhjetë) pemë për magazinat bujqësore dhe industriale;
ç) Për centralet e prodhimit të energjisë, 10 (dhjetë) pemë për MË, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi.
3. Kontributi realizohet nëpërmjet dorëzimit, mbjelljes fizike të fidanëve dhe pemëve në zonat e përcaktuara nga AZHT-ja, pas një procesi bashkërendimi me njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Neni 5
Deklarata e përgjegjësisë
1. Para lëshimit të lejës së ndërtimit, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, subjekti zhvillues depoziton një deklaratë përgjegjësie, me anë të së cilës angazhohet për përmbushjen e detyrimit për mbjellje të fidanëve dhe pemëve, pranon kushtet e përcaktuara nga autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit dhe garanton realizimin e detyrimit, brenda afateve të lejes.
2. Certifikata e përdorimit lëshohet nga autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit, vetëm pasi të ketë marrë konfirmimin nga struktura përgjegjëse për gjelbërimin pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore për përmbushjen e detyrimit për mbjelljen e fidanëve dhe pemëve.
Neni 6
Detyrimi për shfrytëzimin e hapësirave publike
1. Çdo person fizik apo juridik, që pajiset me leje nga njësia e vetëqeverisjes vendore për shfrytëzimin e hapësirave publike, ka detyrimin të kontribuojë në fond.
2. Kontributi përcaktohet në raportin 1 (një) pemë për çdo tavolinë, në rastin kur kërkohet të vendosen karrike në hapësirën publike.
3. Kontributi fizik dhe raporti me numrin e tavolinave verifikohet nga strukturat përkatëse të bashkisë.
4. Kontributi realizohet në formë fizike, sipas këtij vendimi, ose duke paguar ekuivalentin e pemëve në lekë, në funksion të fondit të gjelbër të bashkisë përkatëse.
Neni 7
Administrimi i fondit
1. AZHT-ja, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, mban një regjistër të posaçëm elektronik, pjesë e sistemit e-Leje, për:
a) fidanët dhe pemët e mbjella;
b) shpërndarjen e tyre sipas zonave të miratuara;
c) datën e mbjelljes;
ç) statusin e mirëmbajtjes.
2. Regjistri elektronik krijohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi të këtij vendimi.
Neni 8
Shpërndarja e fondit të fidanëve dhe pemëve
1. Institucionet publike paraqesin kërkesë pranë AZHT-së për përfitimin e pemëve nga fondi pyjor, në funksion të zhvillimeve apo investimeve të tyre publike.
2. Kërkesa shoqërohet nga dokumentacioni i mëposhtëm:
a) Relacioni për qëllimin e përdorimit dhe zhvillimit, i cili planifikohet të kryhet;
b) Projekti përkatës publik;
c) Të dhëna për vendndodhjen;
ç) Të dhëna për numrin e pemëve.
3. AZHT-ja vendos për shpërndarjen e fidanëve dhe pemëve, duke marrë në konsideratë prioritetet e zhvillimit të territorit dhe nevojat publike për projekte të gjelbëruara.
Neni 9
Zbatimi
Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Miratohen shpronësimet për tre projekte rrugore, buxheti do paguajë 85 milionë lekë
Bazuar në ligjin “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, Këshilli i Ministrave ka vendosur që......
Ndarja e plazheve shtyhet deri në fund të qershorit, qeveria miraton afatin përjashtues të vitit 2026
Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, do të jetë brenda muajit qershor. Ky......
Qeveria mbyll shkollën fetare në Gjirokastër, ja si do veprohet për kompensimin e nxënësve
Institucioni arsimor parauniversitar privat i arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër ka vetëm 3 ditë kohë pas hyrjes në fuqi të VKM për......
Miratohet kompensimi i transportit urban për karburantin, publikohet vendimi i Qeverisë
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 13 Majit 2026 ndër vendimet e miratuara është edhe ai i përcaktimit të procedurave, të dokumentacionit dhe të masës......
Përsëri shtrenjtim, Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve
Nafta me 201 lekë/litri dhe benzina 187 lekë/litri. Këto janë çmimet e reja që ka publikuar Bordi i Transparencës. Në njoftimin përkatës thuhet: “Bordi i......
“Vështirësitë financiare po frenojnë lindshmërinë” - Binjaku: Shqipëria ka nevojë për politika më të forta për familjet e reja
Tkurrja e popullsisë nuk është më një thjesht parashikim, por një realitet statistikor. Sipas Institutit të Statistikave, vetëm pvitin e kaluar patëm 1885......
Universitetet kërkojnë ndërkombëtarizim - Kumbaro: 39 institucione të arsimit të lartë, shumë për 2.4 mln banorë
“39 universitete janë shumë për një vend me 2.4 milionë banorë”. Është kjo deklarata e bërë nga ministrja e arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një konference me......
Malaj: Pullat e reja fiskale me teknologji “Track & Trace”. Më shumë siguri dhe kontroll ndaj falsifikimit
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria ka miratuar amendime në lidhje me VKM-në nr. 182 për......


