Shqipëria Postuar më 27 Nëntor 2025, 11:10

Fondet publike, në “lupën” e standardeve europiane - Manuali/ Si do bëhet auditimi i brendshëm dhe si kategorizohen shkeljet

Nga Elisabeta Dosku

Fondet publike, në “lupën” e standardeve europiane -

Shqipëria do të aplikojnë një standard ndërkombëtar të auditimit të brendshëm të institucioneve publike me qëllim ndërtimin e një administrate publike më efikase, më transparente dhe më të përgjegjshme.

Manuali i Auditimit të Brendshëm për Sektorin Publik është hartuar nga Ministria e Financave në përputhje me legjislacionin evropian, si detyrim edhe për anëtarësim,  për të ndihmuar audituesit e brendshëm, të kryejnë punën me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet globale dhe praktikat profesionale më të mira ndërkombëtare.

Auditimi i brendshëm është një shërbim i pavarur, objektiv sigurie dhe këshillimi i krijuar për të shtuar vlerën dhe për të përmirësuar operacionet e një njësie publike. Ai ndihmon një organizatë të përmbushë objektivat e saj, duke sjellë një qasje sistematike, të disiplinuar për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin e proceseve të qeverisjes, menaxhimit të riskut dhe kontrollit.

Auditimi i brendshëm në sektorin publik luan një rol jetik në: Përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarë;  Mbrojtjen e fondeve publike nga keqadministrimin; Rritjen e transparencës dhe llogaridhënies; Forcimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm.

Ky manual shërben si busull për të gjithë audituesit e brendshëm në njësitë publike dhe përfshin praktika të unifikuara.

Sipas dokumentit auditimi bëhet duke i ndarë fushat në tre kategori. Fushat me risk të lartë auditohen jo më pak se 1 herë në vit,  fusha me risk të mesëm një herë në dy vite, dhe fusha me risk të ulët 1 herë në tre vjet.

Për të zhvilluar gjetjet e angazhimit, audituesit e brendshëm krahasojnë kriteret e vendosura me gjendjen ekzistuese në aktivitetin në shqyrtim. Nëse ka një ndryshim midis të dyjave, audituesve të brendshëm u kërkohet të hetojnë  më tej gjetjet e mundshme. Vlerësimi duhet të identifikojë:  Shkakun rrënjësor të diferencës/ndryshimit/shmangies, i cili shpesh lidhet me një mangësi kontrolli dhe është një arsye e drejtpërdrejtë për ekzistencën e gjendjes. Për aq sa është e mundur, audituesit e brendshëm duhet të përcaktojnë shkakun rrënjësor, i cili është një çështje themelore ose më e thellë që ka kontribuar në atë gjendje. Në mënyrën më të thjeshtë, përcaktimi i shkakut rrënjësor përfshin shtrimin e një sërë pyetjesh se pse ekziston ndryshimi.

Gjetjet e auditimit do të renditen sipas rëndësisë. Kështu, për gjetjet me rëndësi të lartë si shkelje serioze e kuadrit ligjor ose procedurave; Risk për humbje të mëdha financiare; Mangësi të rëndësishme në kontroll. Cenim i objektivave operacionale, institucionet do të kenë detyrim të ndërmarrin veprime korrigjuese në një afat brenda 1 deri në 3 muaj.

Gjetjet me rëndësi të mesatare si procedura të paplota,  risqe të papajtueshmërisë ose jo efikasitet të zbatimit të procedurave , klasifikohen për ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese apo për zbatim në një afat brenda 3 deri në 9 muaj. Ndërsa gjetjet me rëndësi të ulët si vërejtje administrative, rregulla jo të formalizuara mund të dokumentohen për ndjekje dhe për ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese apo për zbatim në një afat deri në një vit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat