Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2025, 13:50

“Fondet IPA të BE, Shqipëria progres në zbatim” - Çano: Janë ratifikuar 3 programe operacionale. Investim i përbashkët mbi 186.4 mln euro

Nga Ledina Elezi

“Fondet IPA të BE, Shqipëria progres në zbatim” -

Shqipëria ka bërë progres të mirë në zbatimin e Instrumetit të Para-Anëtarësimit, IPA III. Kështu u shprehën përfaqësues të Komisionit Evropian në Komitetin e Monitorimit Vjetor të IPA-s, ku u vlerësua efektiviteti i përgjithshëm dhe sfidat në zbatimin e ndihmës financiare të BE-së gjatë vitit 2024.

Koordinatorja Kombëtare e IPA-s, Eridana Çano, theksoi se IPA ka ndihmuar të harmonizohemi me acquis të BE-së, të modernizojmë institucionet tona, të ndërtojmë infrastrukturë, të zhvillojmë kapitalin njerëzor dhe të aplikojmë inovacionin në të gjitha fushat e politikave publike.

“Jemi në mes të zbatimit të IPA III dhe duhet ta trajtojmë këtë periudhë programi si vendimtare, pasi nuk është vetëm forma më e madhe dhe më e strukturuar e mbështetjes së BE-së deri më sot, por sepse mund të jetë edhe cikli i fundit i plotë i saj para anëtarësimit. Shpresojmë që deri në fund të këtij cikli, jo vetëm të kemi reforma të avancuara, por edhe të kemi përfunduar negociatat e anëtarësimit dhe gjithashtu të përmbushim kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027. Ky është qëllimi dhe IPA III është një nga instrumentet tona kryesore për të arritur atje. Me mbi 425 milionë euro të ndara për Shqipërinë në kuadër të IPA III, BE mbetet partneri ynë më i madh dhe më i besuar. Përmes IPA-s, ne kemi investuar në drejtësi, administratë publike, konkurrueshmëri, energji të gjelbër, inovacion, bujqësi dhe përfshirjen sociale.”

Ndërkohë, Zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti, u shpreh se qëllimi kryesor është të sigurohemi që fondet e mobilizuara nga Bashkimi Evropian të shpenzohen mirë.

“Siç ua kam theksuar më parë të gjithë strukturave nën përgjegjësinë time, menaxhimi financiar i fondeve aktuale IPA është në njëfarë mënyre testi dhe dëshmia jonë se jemi të aftë dhe të gatshëm të trajtojmë fonde të mëdha të BE-së sapo të bëhemi anëtarë. Shqipëria ka ratifikuar të tre Programet Operacionale nën IPA III, të cilat i janë besuar Shqipërisë në  menaxhim indirekt. Këto programe përfaqësojnë një investim të përbashkët prej mbi 186.4 milionë eurosh, përfshirë kontributet e BE-së dhe ato kombëtare. Veçanërisht, Shqipëria ka ofruar një përqindje bashkëfinancimi kombëtar shumë më të lartë se minimumi i kërkuar nga Komisioni Evropian, 27 % në krahasim me 15 % që është minimumi i kërkuar.”

IPA III ka një buxhet total prej më shumë se 14.2 miliardë eurosh dhe përfituesit vazhdojnë të jenë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat