Shqipëria Postuar më 16 Nëntor 2024, 13:04

Fondet e pensioneve private “fitojnë më shumë terren” - Gati 14% më tepër anëtarë se vitin e kaluar. Asetet arrijnë rekord të ri

Nga Ledina Elezi

Fondet e pensioneve private “fitojnë më shumë terren”

Në kushtet kur pensioni shtetëror nuk ofron të ardhura të mjaftueshme për përballimin e kostove të jetesës, tregu i fondeve të pensioneve private po fiton gjithnjë e më shumë terren. Me kalimin e viteve, më shumë qytetarë po e shohin pensionin privat si një alternativë për të përftuar më shumë të ardhura në pleqëri.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se totali i aseteve neto të këtyre fondeve është rritur me thuajse 15% ose 1 miliardë lekë në krahasim me vitin e kaluar. Konkretisht, vlera e aseteve arriti në 7.7 miliardë lekë në fund të nëntëmujorit. Gati e gjithë kjo shumë është investuar në bono thesari dhe obligacione nga shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve private.

Për sa i përket anëtarëve, mund të thuhet se numri i këtyre të fundit ka pësuar një rritje me 13.61% vlerësuar me vitin 2023. Në fund të muajit shtator numëroheshin gjithsej 43,375 persona që kishin një pension privat.

Aktualisht, në Shqipëri e ushtrojnë aktivitetin e tyre 6 fonde pensioni, ku vetëm dy fonde dominojnë tregun në terma të aseteve dhe numrit të anëtarëve që kanë. Dy fonde zotërojnë 70% të totalit të aseteve, ndërsa 4 fondet e tjera vetëm 30%. Edhe për sa i takon shifrës së anëtarëve, këto dy fonde private mbajnë pensionin e 77% të totalit të anëtarëve.

Por, si ka ndryshuar tregu i fondeve të pensioneve private përgjatë viteve të fundit?

Në një hark kohor prej 5 vitesh, numri i anëtarëve ka pësuar një rritje të konsiderueshme. Aktualisht, numërohen 39% më shumë anëtarë se në vitin 2020. Nga shifrat rezulton se fondet e pensioneve private kishin vetëm 31 mijë anëtarë në 2020-ën, 33 mijë në vitin 2021, 36 mijë në 2022-in dhe gjatë vitit të kaluar, shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve private numëronin 38 mijë anëtarë.

 

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...