Shqipëria Postuar më 23 July 2026, 12:28

Fond Kombëtar Tranzicioni për reformën territoriale - Kostot ekonomike, çfarë pritet të sjellë ndarja e re e Shqipërisë

Nga Elisabeta Dosku

Fond Kombëtar Tranzicioni për reformën territoriale - Kostot

Reforma e re administrativo-territoriale pritet të shoqërohet me rritje të ndjeshme të kostove për pushtetin vendor. Referuar raportit të mazhorancës mbi reformën,  ajo pritet të shoqërohet në mënyrë të pashmangshme me kosto financiare, administrative dhe organizative. Megjithatë,  sipas raportit, nga përvoja ndërkombëtare, këto kosto janë kryesisht të përkohshme, ndërsa përftimet që burojnë nga një organizim më efikas i qeverisjes kanë karakter afatgjatë dhe ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik, cilësinë e shërbimeve publike dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Sipas draftit, kostot e tranzicionit mund të grupohen në disa kategori kryesore.

Së pari janë kostot institucionale, të cilat lidhen me krijimin dhe funksionimin e strukturave të përkohshme të tranzicionit, përgatitjen e akteve nënligjore, asistencën teknike, konsultimet publike dhe koordinimin ndërinstitucional.

Së dyti janë kostot e burimeve njerëzore, të cilat përfshijnë trajnimin e administratës; programet e zhvillimit profesional; mobilitetin e personelit; harmonizimin e strukturave organizative; kostot e mundshme të riorganizimit administrativ.

Së treti janë kostot e sistemeve digjitale. Transformimi institucional kërkon përshtatjen e sistemeve të informacionit, integrimin e regjistrave administrativë, zhvillimin e platformave të reja të raportimit dhe modernizimin e sistemeve të menaxhimit financiar.

Në kushtet e reformës së propozuar, kjo kategori përfaqëson një nga investimet më strategjike.

Së katërti, janë kostot e transferimit të aseteve, ku përfshihet procesi i inventarizimit, rivlerësimit, regjistrimit dhe transferimit të pasurive publike, të cilat kërkojnë burime financiare dhe administrative të konsiderueshme. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe kostot që lidhen me harmonizimin e kontratave ekzistuese, transferimin e detyrimeve dhe zgjidhjen e çështjeve juridike që mund të lindin gjatë procesit.

Së pesti janë kostot e komunikimit dhe pjesëmarrjes publike, ku rekomandohet financimi i një programi të dedikuar komunikimi, informimi dhe konsultimi me qytetarët, biznesin, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet akademike gjatë gjithë periudhës së implementimit.

Për këtë arsye,  për të shmangur financimin fragmentar të reformës, rekomandohet krijimi i një Fondi Kombëtar të Tranzicionit, i administruar nga qeveria qendrore dhe i dedikuar ekskluzivisht për financimin e kostove të implementimit.

Sipas draftit, ky fond duhet të ketë karakter shumëvjeçar dhe të financojë: investimet në sistemet administrative; programet e zhvillimit të kapaciteteve; asistencën teknike për bashkitë; transformimin digjital; studimet dhe monitorimin e reformës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat