Shqipëria Postuar më 26 Dhjetor 2025, 13:42

Fond Kombëtar për rehabilitimin e zonave minerare - Draft-Strategjia 2026-2024 kërkon ngritjen e hallkës që aktualisht mungon  

Nga Ola Mitre

Fond Kombëtar për rehabilitimin e zonave minerare - Draft-Strategjia

Draft-Strategjia e Sektorit Minerar 2026–2040 evidenton një nga boshllëqet në administrimin e aktivitetit minerar në Shqipëri, që është mungesa e një Fondi Kombëtar për Rehabilitimin e Zonave Minerare. Sipas dokumentit strategjik, ky fond do të ishte instrumenti kyç për të garantuar mbulimin financiar të projekteve të pastrimit, rehabilitimit, rikuperimit dhe ri-përdorimit të zonave minerare pas përfundimit të aktivitetit nxjerrës.

Aktualisht, ndonëse subjektet minerare kanë detyrimin ligjor për rehabilitimin e mjedisit dhe janë të detyruara të sigurojnë garanci financiare individuale, në formën e depozitave ose garancive bankare, por kjo qasje konsiderohet e fragmentuar. Garancitë menaxhohen në mënyrë të decentralizuar dhe përdoren vetëm për licencat aktive dhe sipërfaqet konkrete ku zhvillohet aktiviteti minerar, pa krijuar një mekanizëm të unifikuar financiar në nivel kombëtar.

Strategjia thekson se ky model nuk është i mjaftueshëm për të adresuar ndotjet e akumuluara ndër vite, zonat minerare të braktisura, apo hapësirat e abandonuara pa pronar ligjor, ku ndërhyrja kërkon financim të konsiderueshëm, koordinim institucional dhe transparencë në përdorimin e fondeve publike dhe private.

Për këtë arsye, draft-Strategjia Minerare e konsideron krijimin e një Fondi Kombëtar të unifikuar si një domosdoshmëri për periudhën 2026–2040. Ky fond parashikohet të funksionojë si një mekanizëm financiar i integruar, ku kontributet e industrisë minerare dhe fondet publike menaxhohen bashkërisht, me rregulla të qarta, mbikëqyrje institucionale dhe transparencë.

Funksionalizimi i tij parashikohet brenda 2026-ës, ndërsa synohet financimi i të paktën tre projekteve madhore të rehabilitimit deri në vitin 2040.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat