Shqipëria Postuar më 22 Nëntor 2025, 10:51

Fond Kombëtar për Eficiencën e Energjisë/ Projektligji parashikon ngritjen e strukturës që do menaxhojë investimet në kursimin e energjisë

Nga Ola Mitre

Fond Kombëtar për Eficiencën e Energjisë/ Projektligji

Projektligji “Për eficiencën e energjisë” parashikon krijimin e Fondit Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, një strukture që do të menaxhojë burime financiare për të mbështetur investimet në kursimin e energjisë, nga ndërtesat publike e deri te familjet me të ardhura të ulëta.

Fondi pritet të ketë organet e veta drejtuese, përfshirë një Këshill Drejtues dhe një Drejtor Ekzekutiv, të cilët do të vendosin prioritetet e financimit, do të miratojnë projektet dhe do të sigurojnë që investimet të jenë të orientuara drejt kursimeve reale të energjisë. Burimet financiare do të vijnë nga donacione, tarifa, fonde qarkulluese dhe programe ndërkombëtare, të administruara sipas akteve nënligjore.

Ky zhvillim përputhet drejtpërdrejt me pritshmëritë e Komunitetit të Energjisë, që ka kritikuar prej vitesh mungesën e një instrumenti financiar të dedikuar për eficiencën në Shqipëri. Edhe një raport i fundit i këtij institucioni mbi varfërinë energjetike theksoi se vendi ynë ka boshllëqe të mëdha në financimin e masave të kursimit të energjisë, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta, dhe se krijimi i një fondi kombëtar është një domosdoshmëri për të mobilizuar investime dhe për të nxitur rinovimin energjetik të banesave.

Ndërkaq, drafti i nxjerrë për konsultim publik parashikon që Fondi të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimin e programeve të kursimit të energjisë, uljen e emetimeve dhe mbështetjen e grupeve të cenueshme, duke e lidhur drejtpërdrejt me objektivat kombëtare të energjisë dhe klimës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat