Shqipëria Postuar më 3 Qershor 2026, 11:00

FMN vlerëson ekonominë shqiptare: Rritje e qëndrueshme dhe sektor bankar i fortë

Nga Edel Strazimiri

FMN vlerëson ekonominë shqiptare: Rritje e qëndrueshme dhe sektor

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë një vlerësim pozitiv për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, duke theksuar se vendi po vijon të ruajë ritme të qëndrueshme rritjeje dhe një sistem financiar të shëndetshëm.

Ky konstatim u bë gjatë vizitës së misionit të FMN-së në Tiranë, të zhvilluar nga 28 maji deri më 2 qershor 2026, nën drejtimin e shefit të misionit për Shqipërinë, Diego Cerdeiro. Gjatë qëndrimit në vend, ekspertët e FMN-së zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe me Guvernatorin Gent Sejko.

Në fokus të diskutimeve ishin ecuria e ekonomisë, politika monetare, stabiliteti i sistemit financiar dhe pritshmëritë për zhvillimet e ardhshme. Guvernatori Sejko evidentoi se ekonomia shqiptare ka vazhduar të performojë pozitivisht, duke reflektuar rritje të punësimit, të ardhurave dhe përmirësim të treguesve kryesorë makroekonomikë.

Sipas vlerësimit të FMN-së, ekonomia shqiptare ka treguar aftësi për t’u përballur me goditjet e jashtme dhe mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë paralajmëruan se tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë në ekonominë globale kërkojnë vigjilencë dhe monitorim të vazhdueshëm.

Lidhur me inflacionin, FMN vlerësoi se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një qasje të balancuar dhe efektive në politikën monetare. Institucioni ndërkombëtar mbështeti strategjinë aktuale të bankës qendrore, e cila synon ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit pranë objektivit afatmesëm.

Në takime u trajtua edhe çështja e kursit të këmbimit dhe rezervave valutore. Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan se mbiçmimi i lekut është ndikuar nga faktorë strukturorë dhe zhvillime pozitive në ekonomi, ndërsa theksuan rëndësinë e ruajtjes së regjimit të lirë të kursit të këmbimit si një mekanizëm që rrit fleksibilitetin ekonomik.

Vlerësime pozitive mori edhe sektori bankar shqiptar, i cili sipas FMN-së paraqitet i mirëkapitalizuar, me likuiditet të lartë dhe me nivel të ulët të kredive me probleme. Institucioni ndërkombëtar përshëndeti gjithashtu përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për forcimin e mbikëqyrjes financiare dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

Përveç zhvillimeve aktuale, diskutimet prekën edhe sfidat afatgjata të ekonomisë shqiptare, duke përfshirë ndryshimet demografike, nevojën për rritjen e produktivitetit dhe ndikimin që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian pritet të ketë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat