Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2026, 11:41

Flakët rikthehen në disa zona të vendit - Dajti në qendër të operacionit ajror

Nga Edel Strazimiri

Flakët rikthehen në disa zona të vendit - Dajti në

Zjarret vijojnë të mbajnë në gatishmëri strukturat e emergjencave në disa qarqe të vendit, ndërsa Mali i Dajtit mbetet pika kryesore e ndërhyrjes pas riaktivizimit të vatrave në të dyja anët e kreshtës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra zjarri, prej të cilave 5 vijojnë aktive dhe 4 të tjera janë nën monitorim.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 60 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

Në Dajt, ku zjarret janë riaktivizuar në disa pika përgjatë kreshtës, operacioni vijon edhe sot me përforcimin e 50 efektivëve të FA-së, si dhe me forca zjarrfikëse dhe të ADZM-së. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me një helikopter dhe dy avionë Air Tractor. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Dibër, një vatër vijon aktive në Ballenjë–Kostenjë, ku janë angazhuar forcat e AZM-së, ndërsa vatra në Qafën e Helmës, Bulqizë, mbahet nën monitorim. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Situata kërkon vëmendje edhe në qarkun Elbasan, ku janë shënuar riaktivizime në Malin e Dardhës në Librazhd dhe Malin e Qukësit në Prrenjas. Strukturat vendore të MZSH-së vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.

Ndërkohë, Puka paraqet një situatë dukshëm më të qetë. Në Gjegjan, Gojan të Vogël, Gojan të Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive, ndërsa zonat vijojnë të monitorohen për të parandaluar riaktivizimin e zjarreve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Forcat operacionale mbeten në gatishmëri dhe të angazhuara në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat