Shqipëria Postuar më 27 Mars 2026, 13:18

“Fitues në tenderë, ofertat më të larta” - KPP rrëzon vendimet, kursehen mbi 672 mln lekë nga buxheti

Nga Ola Mitre

“Fitues në tenderë, ofertat më të larta” - KPP

Gjatë vitit 2025, institucionet publike kanë vijuar të shpallin fitues në tenderë operatorë ekonomikë me oferta më të larta, duke rrezikuar rritje të kostove për buxhetin e shtetit. Megjithatë, ndërhyrja e Komisionit të Prokurimit Publik ka shmangur këto pagesa, duke sjellë një kursim të konsiderueshëm financiar.

Sipas raportit vjetor, gjatë vitit 2025 KPP ka kontribuar në kursimin e rreth 672 mln lekëve pa TVSH, si rezultat i shqyrtimit të ankesave dhe rrëzimit të vendimeve të autoriteteve kontraktore në rastet kur janë konstatuar shkelje në procesin e vlerësimit të ofertave.

Gjatë periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2025, pranë KPP janë regjistruar në total 1197 ankesa, nga të cilat 1188 lidhen me procedurat e prokurimit publik. Pjesa më e madhe e tyre i përket fazës së vlerësimit të ofertave, që zë rreth 63.4% të totalit, ndërsa rreth 36% janë ankesa mbi dokumentet e tenderit.

Në total, janë shqyrtuar 1152 ankesa, ku për 291 raste Komisioni ka kërkuar nga autoritetet kontraktore të bëjnë modifikime në vendimmarrje, çka tregon një nivel të lartë ndërhyrjeje në proceset e prokurimit, me ndikim të drejtpërdrejtë në korrektësinë e përdorimit të fondeve publike.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se KPP ka përmirësuar efikasitetin në shqyrtimin e ankesave. Koha mesatare e vendimmarrjes është ulur në 10 ditë, nga 12 ditë një vit më parë, ndërsa niveli i ankesave të shqyrtuara jashtë afatit ka rënë në 8.9%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat